Paulonia, pema e princeshës ruse…

05/10/2015 00:00

Keni dëgjuar për Paulonian, pemën e princeshës? Në fillim të viteve 1800, ajo u shfaq në Europë e importuar nga kompanitë holandeze dhe mori emrin prej Anna Pavlovna, e bija e Carit të Rusisë.

Nga ajo kohë, fara u përhap në kontinentin e vjetër, për të mbërritur në Shqipëri 3 vite më parë. Ai që mendoi ta sillte ishte Zef Gjonaj, ish-mësues në Mirditë, i cili 17 vitet e fundit i ka kaluar si emigrant në Itali.

Zefi nuk e kishte menduar kurrë se, një ditë do linte regjistrin për të përfunduar në tokat e mbjella, por nevoja e një pune e detyroi t’i futej studimit të bimës, shumë pak të njohur te ne.

Druri i Paulonias është shumë i lehtë dhe rezistent. Për këtë arsye përdoret që nga ndërtimi i anijeve e deri te mobiljet. Mbillet një herë dhe për 50 vite kryhet vetëm marrje e lëndës drusore, si dhe mjaltit shumë cilësor që prodhohet nga lulet.

Zefi ka mbjellur një Paulonia i ndihmuar nga Roberta, një italiane që jeton në Shqipëri, gjithashtu e apasionuar pas bimës. Në fillim bënë përzgjedhjen e rrënjës më të mirë, e më pas atë e futën në tokë.

Nëse çdo gjë do të shkojë mbarë, frytet pritet t’i marrë pas 3 vitesh. Zefi, miqësisht u bën apel bashkatdhetarëve të tij, që të mos e braktisin vendin, por të shfrytëzojnë çdo mundësi për të arritur mirëqenie, qoftë edhe duke punuar tokën.

Për këtë ofron shembullin e tij, teksa ndërroi profesion për “pemën e princeshës”.

Top Channel