Rama: Nuk ka ndryshime në Qeveri

05/10/2015 19:30

Kryesocialisti Rama për herë të parë pas pushimeve të verës, ka drejtuar mbledhjen e Grupit Parlamentar, nga ku ka folur gjatë përpara deputetëve për ndryshimet e përfolura të kabinetit të tij.

“Të gjitha aludimet për ndryshime në Qeveri janë produkte të atyre që nuk ia duan të mirën koalicionit tonë qeverisës dhe që na duan të keqen”, citohet të këtë deklaruar Rama.

Burimet nga mbledhja e grupit socialist i thanë Top Channel se Edi Rama  ka bërë të qartë që e gjithë thashethemnaja mediatike për ndryshime në qeveri nuk ka asnjëlloj baze.

“Qeveria nuk do të ndryshojë dhe do të vazhdojë me vendosmëri punën për ndryshimin e Shqipërisë”, citohet të ketë deklaruar kryeministri.

Ai ka ritheksuar se Qeveria e tij është një skuadër dhe funksionon sipas parashikimeve të bëra qysh në krijimin e saj.

“Ata që kërkojnë ndryshime qeverie sot, nuk janë ata që na kanë votuar, por ata që ose janë kundërshtarët tanë, ose hanë bukë nëpër gazeta e media  duke sajuar ngjarje, përhapur thashetheme apo nxitur diversione”, ka përfunduar Rama.

Këto deklarime brenda Grupit Parlamentar Rama i përforcoi kur u pyet nga gazetarët për ndryshimet e mundshme në Qeveri.

“Puna juaj është që ju mendoni, ju flisni, ju informoni, ju komentoni dhe kujtoni se ajo që është folur e kemi folur ne, ndërkohë që e keni folur ju”, deklaroi kryeministri.

Top Channel