Nëse nuk do të ishte për rrugën, që duket sikur do të të drejtojë në ndonjë zonë të harruar a majë ndonjë mali të thellë, udhëtimi prej 26 kilometrash nga Korça drejt Vithkuqit do të ishte më shumë se i këndshëm.

Kjo, sepse natyra ka gjithçka për të thyer monotoninë e betontë të qyteteve të mëdha, por siç ndodh shpesh në realitetin shqiptar, pikërisht këto zona vuajnë nga një infrastrukturë e rënuar.

Nëse do të kishte gojë Vithkuqi, aq shumë i preferuar dikur nga piktorët korçarë për shkak të bukurive natyrore, do të kërkonte më shumë mbështetje, më shumë mundësi për të treguar atë që fsheh, vetëm pak kilometra nga qyteti i Korçës.

Në fakt, Vithkuqi mund të indentifikohet edhe si fshati i kishave e manastireve, për shembull, sepse dikur ka pasur më shumë se 24, e sot ka plot 14 të tilla. Të gjitha të veçanta, monumente kulture të shpërndara hijshëm, mes gjelbërimit që ofron pamje të rralla.

Vithkuqin mund ta quash edhe qytet, sepse pak kush e mban mend, por dikur ka qenë i tillë. Me rrënjët që në lashtësi, Vithkuqi ka arritur kulmin e tij në shekujt XVII-XVIII, me mbi 24 lagje e me një popullsi që ka shkuar deri në 15 mijë banorë.

Shumë herë e goditën Vithkuqin, e po kaq herë ai e rimori veten. Ka pasur hotel; ka pasur hidrocentralin e parë në Shqipëri, që në vitin 1936; ka pasur edhe taksi, emigracion e gjithçka tjetër; në kohëra kur gjithçka e tillë dukej e pamundur. E këto të gjitha, për të treguar se Vithkuqi, që hershëm është vlerësuar për bukuritë e tij natyrore, për burimet e pafundme, e mundësitë për një turizëm cilësor malor.

Ndryshe nga sot, kur Vithkuqi i Naum Veqilharxhit shpesh ka mbetur thjesht në radhët e librave e këtyre historive, që janë zverdhur bashkë me kohën.

“Vithkuqi duhej të ishte shumë më mirë në aspektin e investimeve e zhvillimit, që kërkon koha sot, si zonë që pretendohet turistike, ku burimet nuk mungojnë. Dua të shtoj diçka, që është edhe paradoks, kur u bë një guidë turistike. Vithkuqi nuk figuronte fare, madje figuronte në Gjirokastër. Ky është një banalitet. Vithkuqi një është”, thotë Petraq Shore.

Shkolla e mesme nuk funksionon më, për shkak të largimit të banorëve. Vetëm ajo 9-vjeçare ruan ende zëra fëmijësh. Përveç rreth 600 banorëve të sotëm, Vithkuqi duket i zbrazët, edhe pse mund të gjallonte nga turistët. Edhe në tërësi gjatë vitit, ata janë të paktë. Ndoshta një pjesë as nuk e njohin ekzistencën e një parajse të tillë, ose më mirë një vendi ku natyra është treguar e pakursyer, në të kundërt të qeverive, që kanë ardhur e shkuar pa kthyer kurrë sytë siç duhej nga ky vend.

“Nuk është kujtuar kush, hiç fare. Nuk ka vënë dorë njeri këtu në Vithkuq. Edhe pse është një vend shumë, shumë turistik, siç e shihni edhe vetë”, thotë Pandi Buba.

Problemet janë të shumta, nuk kanë lidhje thjesht me infrastrukturën, por edhe me pronat. Në mungesë të një projekti zhvillimor, që nuk ka sjellë asnjë rifreskim të pronave dhe gjendjes së tyre, banorët – të gjithë autoktonë – nuk kanë tapitë, cfarë deri më sot ka paralizuar plotësisht realizimin e investimeve. Askush nuk jep një zgjidhje. Duket absurde, por në Shqipëri ndodh edhe kështu. Të jesh pronar, por të mos jesh. Duket si një lojë fjalësh, por ky në fakt është realiteti i Vithkuqit.

“Fillesën e ka pikërisht nga problemi i shtëpive, nga hipotekimi, sepse njerëzit ende nuk e dinë se çfarë prone kanë, çfarë shtëpie kanë. Kjo ka krijuar edhe atë tkurrjen e fortë, si nga njerëzit këtu që nuk kanë bërë promocion, edhe nga pushtetarët”, thotë Altin Prifti.

E megjithatë ka plot banorë, që janë përpjekur të bëjnë diçka në Vithkuqin e tyre, duke i dhënë pamjen e një vendi që nuk është braktisur, e që mund të rimarrë jetë me turizmin malor.

“Mbështetje nuk kemi marrë, çdo gjë e kemi bërë me forcat tona. Me punën dhe sakrificën tonë, shumicën e gjërave e bëjmë vetë. Shumicën e punëve e bëjmë vetë, na ndihmojnë edhe fëmijët, pak a shumë është një biznes familjar”, thotë Ariola Qirici.

“Jo vetëm që nuk kemi marrë, por vazhdojmë edhe të japim për të mbajtur biznesin gjallë. Jo të përfitojmë, por ende kemi humbje, ende japim e jo të marrim”, thotë Llazar Shore.

Vithkuqi ka pafund bimë medicinale, ka pyje të pasura; që për fat të keq në këto mbi 20 vite janë dëmtuar jo pak nga abuzuesit e shumtë; ka liqenet, qoftë ai i Gjoncit apo edhe tjetri rrugës për në fshatin Shtyllë. Ka 3 kala, për të cilat askush nuk është kujdesur, ose më mirë që janë lënë si mall pa zot. Ka tumat e vjetra e sa e sa shumë vende të rralla për t’u vizituar. Jo më kot, ky fshat është përzgjedhur edhe si shesh filmash të vjetër shqiptarë, sepse Vithkuqi është një pasuri, por si e tillë nuk po trajtohet.

Rrugicat e Vithkuqit fshehin pas tyre sa ngjyrat shpërthyese të pemëve hijerënda, që shkrihen me kalldrëmet, po aq edhe realitetin e hidhur të një zone të lënë kaq dukshëm në vetmi. Është një vetmi mbytëse, për vetë vlerat që transmeton ky vend e mbështetjen që do të duhej të merrte.

“S’ka asnjë investim, asnjë projekt zhvillimi, qoftë nga ana turistike, edhe nga të tjerat. Në fushën e blegtorisë nuk besoj se është bërë ndonjë gjë”, thotë Fotaq Lena.

“Duhet të ketë më shumë gjallëri, më shumë ndihmë nga njerëzit dhe nga qeveria. Ta ndihmojnë pak, që njerëzit të jenë më të zhvilluar”, thotë Vangjeli Lena.

Kur flitet për turizëm nuk mjaftojnë fjalët. Ja ku është Vithkuqi, një vend i jashtëzakonshëm, me mundësi të jashtëzakonshme, me njerëz të mirë e mikpritës, me histori e natyrë, me legjenda e shumëçka, që do të duheshin ta kthenin në një vend, ku turistët duhet të iknin e të vinin papushim. Të kërkonin me muaj e muaj të tërë për të gjetur mundësinë, për të qenë qoftë një herë të vetme në këtë vend të mrekullueshëm, në këtë vend që edhe sot duket vërtet magjik.

Top Channel