Aksioni kundër informalitetit, Jaka: Përcaktues për ecurinë e ekonomisë

06/10/2015 00:40

Ka kaluar më shumë se një muaj që nga dita që Qeveria nisi aksionin e saj kundër informalitetit, ndërsa ka dhënë edhe rezultatet dhe pritshmëritë e saj nga ky aksion. Por si e ka pritur biznesi? Për të folur për këtë çështje, por edhe për të gjithë problematikën që e shqetëson biznesin, ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” zoti Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

Zoti Jaka u shpreh se për aksionin kundër informalitetit pati një reagim jashtëzakonisht të mirë nga sipërmarrja private. Ai shtoi se është përcaktues për ecurinë e ekonomisë shqiptare.

Pandi Gjata: Doja ta nisja me një koment se si e ka pritur biznesi aksionin kundër informalitetit.

Nikolin Jaka: Ka pasur një qasje dhe mbështetje të aksionit të Qeverisë. Kjo ka qenë një kërkesë e kahershme e sipërmarrjes private dhe Dhomës së Tregtisë, për të pasur një reformë të mirëmenduar dhe një strategji të qartë për formalizimin e ekonomisë në vend. Tashmë ka filluar muaji i dytë nga aksioni dhe kanë dalë edhe rezultatet e para, të cilat ne i kemi marrë në mënyrë verbale. Këto rezultate konkludojnë për një reagim jashtëzakonisht të mirë të sipërmarrjes private, që ka ardhur në sinkron me kërkesën e Qeverisë për formalizim të ekonomisë. Unë nuk do të doja të bëja analiza nëse aksioni është përqendruar të biznesi i vogël apo te biznesi i madh sepse ishte një aksion që synonte një kontroll paraprak. Përveç problemeve sporadike që ka pasur gjatë momenteve të kontrollit, ka pasur një reagim përtej pritshmërive që jo vetëm Qeveria, por edhe sipërmarrja nuk e mendonte se do të kishte këtë lloj reagimi dhe formalizimi.

Pandi Gjata: A është kjo sipas jush rruga e duhur për të luftuar informalitetin në vend?

Nikolin Jaka: Absolutisht që duhet luftuar informaliteti, absolutisht që jemi të bindur për të mbështetur çdo nismë të Qeverisë për luftën kundër informalitetit. Por nga ana tjetër duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të hartuar ndërhyrjen dhe të orientojmë në ndërhyrjen e duhur për të luftuar informalitetin pa cenuar ekuilibrin dhe raportet e tjera që kanë të bëjnë me impaktin social.

Pandi Gjata: A keni një informacion se sa biznese janë mbyllur gjatë këtij muaji të parë?

Nikolin Jaka: Është më se normale që gjatë muajit të parë ka pasur ulje qepenash, por nuk ka pasur mbyllje masive. Ka pasur biznese që lundronin në informalitet në mes të qendrave të qyteteve. Ne e kemi ngritur zërin se këto biznese nuk lundronin në informalitet, por ishin në bashkëpunim me sistemin fiskal, të cilat kishin mundësinë të demonstronin në mënyrë të hapur punën e paligjshme të tyre. Në një rrugë në qendër të Tiranës të ekzistojnë 40% e bizneseve të palicencuara, kjo është e pamundur që të jetë e stimuluar nga vetë sipërmarrja.

Pandi Gjata: Cilat kanë qenë arsyet që ky biznes ka punuar në të zezë dhe sa kanë ndikuar këto në ekonomi?

Nikolin Jaka: Shqipëria ka punuar dhe vazhdon të punojë në të zezë. Kemi një periudhë 25 vjeçare që ashtu si klasa politike edhe sipërmarrja private kanë qenë në të zezë. Unë mendoj se ka ardhur momenti që duhet t’i japim një ndalesë të fortë këtij fenomeni negativ, ashtu si kurse edhe sipërmarrja duhet të reflektojë dhe të orientojë politikat e saj zhvillimore drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe një partneriteti të qëndrueshëm me sipërmarrjen private. Unë këtu doja të ndaloja pak, pasi e kemi mbështetur luftën kundër informalitetit, por nga ana tjetër kemi paraqitur edhe kritika dhe sugjerimet tona, duke qenë kundër ligjit të sapo miratuar mbi procedurat tatimore, i cili ka shumëfishuar gjobat në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo është një armë e fortë që i jepet sistemit fiskal në rolin e kontrollorit dhe një armë e dobët në mbrojtje nga sipërmarrja private. Nga ana tjetër, nuk mundëm që të kishim një reflektim të Qeverisë dhe mazhorancës për të miratuar një ligj të tillë. Ndërkohë që reagimi i sipërmarrjes ishte i jashtëzakonshëm si në shifra, ashtu edhe në qasje i formalizimit dhe i legalizimeve të sipërmarrjes përkundrejt informalitetit.

Pandi Gjata: A ja keni dërguar Qeverisë sugjerimet tuaja për këtë çështje?

Nikolin Jaka: Ky ishte një ligj i kaluar në procedurë të përshpejtuar, i pa konsultuar me asnjë grup interesi. Mendoj se ky ligj do të ketë edhe impaktetet e veta negative me kalimin e kohës. Sot është momenti që Qeveria të orientohet drejt vizita fiskale dhe të mos e thellojë kontrollin e saj. Nuk është qëllimi i Qeverisë të bëjë analizën e inventarit të sipërmarrjes private. Sot është jashtëzakonisht e rëndësishme që sipërmarrja private të orientohet dhe disiplinohet që malli i shitur të shoqërohet me faturë. Kjo është “thembra e Akilit” sot, duke vlerësuar si duhet edhe sistemin e deklarimit të punonjësve.

Pandi Gjata: Do të keni diskutime për këto propozime, ndoshta për shtyrje në kohë? Megjithëse Qeveria ka thënë se nuk do të ketë më shtyrje.

Nikolin Jaka: Mendoj se Qeveria do të reflektojë dhe do të ketë shtyrje ose mund të ketë një kalim në heshtje duke kaluar periudhat 3 mujore dhe pastaj në Janar mund të kemi një tjetër platform.

Pandi Gjata: Mendoni se aksioni i tre muajve të parë do të jetë një hap i parë dhe kryesor se si do të jetë ecuria?

Nikolin Jaka: Unë mendoj se është përcaktues për ecurinë e ekonomisë shqiptare. Ky aksion është përcaktues për ekonominë formale të vendit tonë, njëkohësisht është përcaktues edhe për disiplinimin e sipërmarrësve. Nëse do të kemi rezultate pozitive në fund të vitit do të thotë se sipërmarrja shqiptare e ka kuptuar sinjalin nga Qeveria shqiptare për zbatimin e ligjit.

Pandi Gjata: Nga Forumi Ekonomik Botëror, duke e vlerësuar ambientin e biznesit në Shqipëri, theksohet se problematika kryesore është korrupsioni, taksat e larta dhe mungesa e likuiditetit të biznesit. A keni një koment për këtë?

Nikolin Jaka: Likuiditeti dhe korrupsioni janë dy fenomene që e kanë shoqëruar ekonominë shqiptare, ndërsa sistemi i tarifave të larta është futur dy vitet e fundit. Pas Qeveria, edhe nga sugjerimet e marra nga sipërmarrja, e kishte më të lehtë të operonte me reformën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal dhe sot mund të kishin edhe rezultate surprizë për këdo. Por Qeveria zgjodhi rrugën më të thjeshtë.

Pandi Gjata: Sipas jush, a po e cenon ecurinë ekonomike kjo luftë ndaj informalitetit?

Nikolin Jaka: Shqetësuese për ne mbetet hartimi dhe menaxhimi i sektorëve prioritarë të ekonomisë, një zhvillim menaxherial i territorit, për të parë edhe se cilët janë sektorët që potencojnë ekonominë e vendit dhe nuk mendohet se lufta kundër informalitetit mund të cënojë zhvillimin ekonomik apo qëndrueshmërinë e saj. Në sinkron me luftën ndaj informalitetit, duhet patjetër që Qeveria të ketë gati edhe hartimin e planeve menaxheriale dhe të sektorëve prioritarë të territorit të vendit.

Pandi Gjata: Si e vlerëson biznesi ecurinë e ekonomisë në vend? A kemi një situatë optimiste?

Nikolin Jaka: Të jemi të sinqertë, nuk kemi një frymë optimiste. Është shumë e lehtë të jëpim sinjale të Kryeministri se çdo gjë është si në parajsë. Është viti i dytë i qeverisë dhe ne presim shifra, presim një hartim të qartë të strategjisë së Qeverisë për të zhvilluar dhe për të nxjerrë modelin ekonomik për zhvillimin e vendit. Nuk mund të ketë optimizëm te sipërmarrja private nëse nuk ka nisma të reja, nëse nuk ka iniciativa.

Pandi Gjata: Si do ta përkufizoni këtë udhëtim dy vjeçar të biznesit me këtë qeveri?

Nikolin Jaka: Në përgjithësi ka një qasje tjetër në lidhje me komunikimin, por partneriteti mbetet në nivelet e precedencës së mëparshme. Ka një partneritet që promovohet sikur është një partneritet dhe dëgjesë e grupit të interesit, por në fakt vazhdohet me recetën e lëshuar nga doktori pa bërë vizitën e pacientit.

Top Channel