Tiranë, dy operacione antidrogë; arrestohen 6 transportues dhe 1 kultivues

06/10/2015 09:30

Seksioni i antidrogës në Policinë e Shtetit ka arrestuar në flagrancë 6 persona në posedim të një sasie prej 10 kg lëndë narkotike e tipit kanabis sativa.

Sipas një njoftimi për shtyp, në pranga kanë rënë shtetasit Gëzim dhe Sefer Hodaj, përkatësisht 24 dhe 22 vjeç nga Mallakastra; Shkëlqim dhe Erjon Merkaj, 36 dhe 31 vjeç nga Fieri; si dhe Thodhori Demçe e Taulant Boci, 20 dhe 31 vjeç dhe banues në Gjirokastër.

Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e dy shtetasve të tjerë, të moshës së re dhe nga lokalitetet e sipërpërmendura. Keta shtetas u kapën në flagrancë tek kryqëzimi i fshatit Gorishovë të Fierit me një sasi prej 10 kg kanabis sativa.

Në momentin e arrestimit janë verifikuar disa të shtëna armësh, të cilat dyshohet të kenë si autorë shtetasit e shpallur në kërkim, të identifikuar me inicialet F.H dhe E.H.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale të arrestuarve iu sekuestruan një automjet tip “Audi”, municione dhe telefona celularë.

Ndërkohë, në një operacion tjetër, blutë e Fierit kanë sekuestruar një sasi bimësh narkotike prej 15 kg, të gjetura në oborrin e shtëpisë së një personi, i cili është arrestuar. Operacioni në fjalë, sipas burimeve policore, ishte koduar me emrin “Kasti”, ndërkohë që personi i arrestuar është identifikuar me inicialet K.M, 62 vjeç nga Fieri.

Top Channel