Britani, Cameron: Fluksi i emigrantëve të ketë një limit

06/10/2015 10:55

Nivelet e larta të emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar mund të vështirësojë ndërtimin e një shoqërie të bashkuar, kanë paralajmëruar konservatorët.

Vetë kryeministri David Cameron ka deklaruar se, pa kontrollin e emigrancionit krijimi i një shoqërie sa më të integruar do të jetë gjithnjë e më e vështirë.

Kuotat e emigracionit të regjistruara së fundmi në Britani kanë arritur maksimumin historik.

Cameron ka thënë se, ndihej “jashtëzakonisht krenar” që Britania ka ndërtuar një nga demokracitë më të suksesshme multietnike në botë, por ka shtuar se, “për një shoqëri sa më të integruar dhe më të suksesshme duhet të sigurohet që në shkolla të ketë mjaftueshëm vende për nxënësit dhe që spitalet të mos jenë të tejmbushura”.

Edhe sekretarja e Brendshme, Theresa May pritet ta përdorë fjalimin e saj në konferencën e Partisë Konservatore për të thënë se, Mbretëria duhet të ketë një limit.

BBC citon pjesë të deklaratës së saj, në të cilën thuhet: “Ka miliona njerëz në vende  të varfëra që do të donin të jetonin në Britani dhe ka edhe një limit të kuotës së emigracionit që çdo vend duhet të vendosë”.

Gjithashtu, May pritet të paralajmërojë për presionin që imponon fluksi i emigracionit në infrastrukturë dhe shërbimet publike.

Top Channel