Kosovë, tjetër operacion kundër fajdexhinjve; arrestohet 4 persona

06/10/2015 11:50

Në kuadër të luftimit të veprave të kundërligjshme, në veçanti atyre që ndërlidhen me fajdet, Policia e Kosovës arrestoi këtë të martë edhe 4 persona, të cilët dyshohen për veprat penale “fajde” dhe “detyrim”.

Bëhet fjalë për një aksion policor të ndërmarrë qysh në orët e para të mëngjesit nga njësia e Krimeve Ekonomike dhe Antikorrupsionit, i zhvilluar në Prishtinë dhe Podujevë.

E ndërsa rritet numri i të arrestuarve, edhe numri i atyre që janë prekur nga ky fenomen nuk është i vogël. Në këndvështrimin e sociologut kosovar, Fadil Maloku, fenomenet negative si “fajdja” depërtojnë në shoqëritë tranzicionale, si pasojë e mungesës së aparatit të mirëfilltë shetëror.

“Në këtë periudhë tranzicioni ndodhin këto fenomene negative, të cilat në mungesë të një mekanizmi shtetëror, siç është shteti, gjejnë hapësirë. Kujtoj që fajdet, por edhe sjelljet e tjera devijuese si droga e prostitucioni, janë produkte të mungesës së një kontrolli rigoroz nga ana e shtetit. Gjithashtu, unë mendoj se është produkt i mungesës së sundimit të ligjit. Pra, në mungesë të aparatit shtetëror, kjo është bërë një gangrenë dhe shqetësim shumë serioz”, tha Fadil Maloku, sociolog dhe profesor universitar.

Nga ana tjetër, Maloku numëron disa faktorë, që në të shumtën e rasteve detyrojnë qytetarët e Kosovës të shndërrohen në viktima, duke huazuar parà me fajde, apo e kundërta, duke përfituar nga fajdet.

“Mos harrojmë se Kosova është një vend që po prodhon një papunësi, që mund të shërbejë si model shkollor për ekonomistët. Papunësi prej 1 milion e 700 mijë vetësh, ka 60 për qind të njerëzve që janë të varfër, ndaj dhe pamundësia që të rinjtë të hyjnë në tregun e punës, padyshim i nxit njerëzit të kërkojnë shtigje të tjera, që janë të favorshme për ta dhe që u sigurojnë kështu jetesën, atyre dhe familjarëve të tyre”, tha më tej Fadil Maloku.

Në Kosovë janë të shpeshta rastet kur, përveç problemeve të tjera, një zënkë që rrjedh nga moskthimi i detyrimeve të huadhënies me interes në rrugë të paligjshme, ka një fund tragjik: me vrasje. Rasti më i fundit u shënua në muajin shtator, kur një qytetar i Prizrenit u vra nga një person, që dyshohet se i kishte borxh një shumë të konsiderueshme parash.

Top Channel