Deschamps: Martial do të bëjë shumë për Francën

06/10/2015 11:55

Didier Deschamps bën vlerësimin për futbollistin e Manchester United, Antoni Martial. Në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes me Armeninë, trajneri i Francës deklaroi se 19-vjeçari u është përgjigjur kritikave dhe se ai do të bëjë akoma më shumë për përfaqësuesen.

“Për Martial pritshmëritë janë shumë të mëdha. Ai u kritikua shumë së fundmi, por me paraqitjet e tij vërtetoi se ato kritika ishin të gabuara. Martial është bërë pjesë e grupit tonë sepse ne mendojmë se ka shumë potencial. Nuk flet shumë, por kjo nuk më shqetëson aspak. Është diçka logjike, pasi Martial ka ende shumë punë për të bërë. Ai kaloi në një botë tjetër teksa u bashkua me Manchester United, ku ai duhet të bëjë paraqitje sa më të mira”, tha Deschamps.

Më pas, trajneri i “Bluve” konfirmoi se sfida me Armeninë do të zhvillohet sipas planit, në Nisë, pavarësisht përmbytjeve në jugun e Francës. Deschamps shtoi se në këtë ndeshje do të përkujtohen viktimat dhe familjarët e tyre.

Top Channel