Paloka: Miku i Ramës fitoi tenderin 4.5 miliardë lekë

06/10/2015 12:25

Kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ditën e djeshme i dha 4 miliardë e 540 milionë lekë një mikut të tij, për ndërtimin e godinës së OSHEE-së.

Sipas Palokës, kryeministri e çoi deri në fund aferën e tij edhe pse ajo u denoncua publikisht nga Partia Demokratike më datë 11 shtator dhe opinioni publik u informua se fituesi për këtë tender ishte i paracaktuar.

“Fituesi u shpall dje dhe ai është ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës, miku i tij i vjetër në biznes, Carapuli, ashtu siç kishim paralajmëruar ne me denoncimin publik që bëmë. Ky është një korrupsion i pastër me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Edi Ramës. Masha e tij e bindur në OSHEE vetëm sa ka zbatuar porosinë në këtë rast. Miku, partneri, ortaku i Edi Ramës mori tenderin prej 4 miliardë e 540 milionë lekësh, edhe pse kishte paraqitur ofertën më të lartë”, ka deklaruar Paloka.

Sipas tij, në këtë garë u skualifikua një subjekti tjetër që kishte ofruar 740 milionë lekë më pak, pra që do t’i kursente qytetarëve shqiptarë 740 milionë lekë.

“Vetëm një urdhër i Edi Ramës do të sillte këtë rezultat, që fitues të shpallet dikush që e ka ofertën 500 mijë euro më të madhe. Askush nuk do të kishte guxim kaq të marrë për të dhënë një tender të tillë pa urdhrin e Edi Ramës, urdhrin e atij që vendos në fakt për çdo tender në vend”, ka thënë më tej Paloka.

“Miku dhe interesi i Edi Ramës prevalon mbi të gjitha. Pazaret dhe aferat e Edi Ramës janë urdhëri. Ky korrupsion, kjo babëzi, kjo zhvatje bëhet pikërisht me paratë që OSHEE, kjo bandë kriminale, ua ka marrë shqiptarëve me kërbaç, duke i shtypur e poshtëruar, duke i dërguar në burg dhe shpesh duke u marrë edhe jetën”, ka thënë më tej kreu i grupit të PD.

Ai u ka bërë apel qytetarëve se, “vetëm drejtësia që vjen nga bashkimi ynë për të ndalur këtë oligarki të korruptuar e kriminale është rruga e daljes”.

Top Channel