Mong-Joon mohon përfshirjen në skandalin e FIFA-s

06/10/2015 12:20

Kandidati për president i FIFA-s, Chung Mong-Joon përgënjeshtron në mënyrë kategorike zërat për përfshirjen e tij në skandalin e FIFA-s, që e shihte atë të rrezikonte pezullimin prej 15 vitesh nga ky organizëm. Në një konferencë për shtyp, koreanojugori deklaroi se nuk ka bërë asgjë të paligjshme gjatë procesit të votimit për kandidaturat e Botërorëve 2018 dhe 2022.

“Zëra keqdashës brenda FIFA-s kanë bërë të ditur se rrezikoj të pezullohem nga Komiteti i Etikës për veprime të paligjshme gjatë përcaktimit të organizatorëve të Botërorëve 2018 dhe 2022, por propozimet e mia gjithnjë kanë qenë të bazuara në rregullat e FIFA-s, madje ato edhe iu nënshtruan hetimit nga ku rezultoi se nuk kishte asgjë të gabuar. Mendoj se këto lajme ndaj meje u krijuan për faktin se po kandidoj për të qenë në krye të FIFA-s”, tha Mong-Joon.

Chung Mong-Joon, i cili më parë ka qenë edhe në pozicionin e zv/presidentit të FIFA-s, e zyrtarizoi kandidaturën e tij në muajin gusht. Në shkurt të vitit 2016 do të zhvillohet edhe Asambleja e Jashtëzakonshme e FIFA-s, ku Blatter do të zyrtarizojë dorëheqjen e tij për t’i hapur rrugë zgjedhjes së presidentit të ri.

Top Channel