Shkolla artistike në Gjirokastër pa klasa, nxënësit ushtrohen në korridore

06/10/2015 12:50

Shkolla artistike “Fehim Ibrahimi” në Gjirokastër një ndër më të hershmet në traditën e liceve artistike në vend, e vendosur në një godinë të vjetër në lagjen Varosh të qytetit, vuan mungesën e ambienteve për të zhvilluar mësim.

Nxënësit e veglave muzikore ushtrohen ku të munden në ambientet e shkollës, në korridore, në drejtori dhe në sallën e mësuesve ndërsa ora e pianos dhe kantos zhvillohen në sallën e informatikës.

Jo rrallë disa mësues detyrohen të japin mësim në të njëjtin ambient për klasa të ndryshme.

“Nuk diskutohet që ne kemi shumë nevojë për ambiente, kjo është e domosdoshme. Nuk është h era e parë që e ngrejmë me forcë, por për momentin nuk kemi marë asnjë përgjigje”, thotë Rakela Latifi, mësuese.

Në të njëjtën shkollë drejtimi mësimor më i rëndësishëm, ai i Artit Figurativ, prej të cilit 60% e nxënësve arrijnë të ndjekin Akademinë e Arteve çdo vit është i izoluar në ish magazinën e shkollës në katin përdhes. Mjedisit sipas Bledar Kacit, mësues në degën e skulpturës, i mungon gjithçka, hapësira, ndriçimi dhe lehtësirat për t’u ushtruar praktikisht.

“Drejtoria është kthyer në klasë pianoje, klasa ku bëhet kompjuteri bëhet kantoja, dhe përfundimtare është ky ambient. Me urgjencë më të madhe duhet të ndërrohen ambiente”, thotë Kaci.

Numri i nxënësve nga rajoni është gjithnjë e më i vogël, për shkak të kushteve në konvikt.

Top Channel