Vrasja e nënkomisarit, Fishta: FNSH duhet të priste RENEA-n

06/10/2015 14:10

Për ish drejtuesin e lartë të RENEA-s, Sadetin Fishta vrasja e efektivit të FNSH-së në Shkodër, Simon Gjeta erdhi si pasojë e neglizhencës së rastit.

Në një intervistë për ‘Top Media’, ish shefi i trajnimeve dhe stërvitjes në repartin elitë të Policisë së Shtetit, shprehet se përballjet me elementët e armatosur për shkak të specifikave dhe rrezikshmërisë së lartë, mund t’i përballojë vetëm RENEA.

“Nuk duhen neglizhuar në asnjë rast, rastet e ndërhyrjes në persona të armatosur. Sot për sot është i vetmi repart që në rastet e armatosur dhe kundërshtimet me armë të punonjësve të policisë është vetëm reparti RENEA, nëse ne do të kursejmë jetë njerëzish, punonjës policie. Në të tilla raste asnjë repart sot, me informacionet që kemi ne, ne themi që ata që ndërmarrin veprimtari të tillë për kapjen e këtyre personave kanë një risk tepër të lart, në raport me riskun që kanë forcat speciale të RENEA-s për ta neutralizuar këtë element”, thotë Fishta.

Fishta, aktualisht si kreu i sindikatës së punojësve të policisë, shpreh ngushëllime për familjen e nënkomisarit Gjeta por nga ana tjetër evidenton si domosdoshmëri pajisjen e uniformave blu me mjete e armatime të kohës.

“Të kryejmë detyrën në kushte minimale, ose optimale me pajisje mjete apo me vënie në dispozicon të atyre njerëzve të domosdoshme që janë për të kryer një detyrë, të cilën ata sot e kanë që lë për të dëshiruar, duke filluar që nga pajisjet, armatimi e mjetet e tjera. Akoma sot kemi punonjës polivie që disponojnë pistoleta të modelit të vitit ’56, TT”, vijon Fishta.

Përfshirja e policisë në debatin politik të ditës duke nxitur krimin, për Fishtën është një tjetër problematikë që po haset kohët e fundit.

“Politika sot është e tillë që në fjalorët e tyre përdorin terma që janë tepër agresiv ndaj njëri-tjetrit, duke akuzuar për krime që këto në një formë a në një tjetër, nxisin dhe elementin kriminal poshtë që të reagojë ndaj punonjësve të policisë. Reagimi dihet që është i ashpër, sepse vetë faktet brenda një periudhë kaq të shkurtër kohore dy punonjës policie bien në krye të detyrës”, thotë ai.

Top Channel