Ribery tashmë trajton dëmtimin me mjete të NASA-s

06/10/2015 14:20

Frank Ribery nuk po sheh ende dritë në fund të tunelit. Futbollisti francez i Bayern Munchen nuk luan prej 7 muajsh një ndeshje zyrtare për shkak të një dëmtimi të pësuar në kavilje gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve me Shakhtar Donetsk. Në atë kohë, fillimisht u mendua se Ribery do të qëndronte jashtë fushave të lojës vetëm pak ditë, por terapia e aplikuar nga stafi mjekësor i klubit bavarez dështoi dhe tashmë shqetësimi te kampionët e Gjermanisë është rritur akoma më shumë.

Duke parë situatën në të cilën ndodhet francezi, Bayern Munchen vendosi t’i drejtohej një tjetër opsioni për kurimin e tij. Sipas një televizioni gjerman, futbollisti ka nisur të stërvitet me një mjet antigravitet e perceptuar nga agjencia hapësinore amerikane NASA për të ruajtur muskulaturën e astronautëve.

Kjo është një mënyrë për të lehtësuar peshën trupore dhe për të mos rënduar mbi kavilje. Kjo teknikë është përdorur edhe më parë nga sportistë të tjerë të njohur si Rafael Nadal e LeBron James në periudhat kur atyre iu desh të rimerrnin formën fizike pas një qëndrimi të gjatë jashtë fushave të lojës. Për tenistin spanjoll dhe basketbollistin amerikan kjo teknikë funksionoi, mbetet për t’u parë nëse e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Ribery.

Top Channel