Qiell pa re, temperatura mesatare, me pak fjalë klima ideale për të hedhur ca bomba në Siri. Stacioni televiziv “Russia24” nuk i analizon lëvizjet e reve për të bërë vetëm parashikimin e motit, por i ka kushtuar situatës metereologjike edhe një shërbim të veçantë në funksion të ndërhyrjes ruse në këtë vend.

Ndërsa bënte panoramën e një klime të butë e favorizuese për shëtitje në ndonjë rrugë fshati, prezantuesja shton se momenti do të ishte po aq i përshtatshëm edhe për sulme nga ajri në krah të besnikëve të presidentit sirian Bashar al-Assad.

“Forcat ajrore ruse janë duke i vazhduar operacionet e tyre dhe kushtet aktuale metereologjike ekspertët tanë i vlerësojnë si më të mirat e mundshme për mësymjet ajrore”, thotë ajo përpara kamerës, ndërsa në ekran shfaqen edhe pamjet e një objektivi të goditur.

Më tej vazhdon me pohimet se “tetori në Siri konsiderohet si muaji më i favorshëm për fluturimet. Reshje shiu ka vetëm për nja 10 ditë dhe shpejtësia mesatare e erës nuk kalon 2,4 metrat në sekondë. Grumbullimet e reve nga ana tjetër nuk arrijnë asnjëherë përgjatë kësaj periudhe të kthehen në pengesë për sistemet e shënjestrimit”.

Nisur nga kushte të tilla të motit, përfundon metereologia, duke i ilustruar pohimet edhe me një grafik të detajuar, avionët rusë mund të fluturojnë poshtë reve e të marrin kuotë edhe në rast mbrojtjeje antiajrore. Lartësia optimale për bombardim, sipas saj, është diku ndërmjet 3 dhe 5 kilometrave lartësi.

Videoja ka qarkulluar me shpejtësi në internet duke ngjallur sa indinjatë, aq edhe reagime ironike. Që prej fillimit të fushatës së bombardimeve javën që shkoi, Moska ka ndërmarrë mbi 100 sulme nga ajri në territorin sirian.

Top Channel