Bushi: Vazhdoni të na mbështesni, mos u merrni me kundërshtarin

06/10/2015 14:50

Menaxheri i kombëtares Alban Bushi ka vlerësuar në maksimum tifozerinë shqiptare, pa të cilën përfaqësuesja kuqezi nuk do të kishte arritur këto suksese. Bushi ka kërkuar nga lojtari i 12 të tregojë edhe në ndeshjen e të enjtes që di të jetë mikëpritës, pavarësisht se kush është kundërshtari.

“Ne kemi treguar se i mikpresim dhe i respektojmë kundërshtarët. Janë këta tifozë që e kanë sjellë ekipin tonë deri këtu, është 20-30% merita e tyre, mendoj unë. Këtë meritë ata nuk duan ta hedhin poshtë, ata nuk duhet në asnjë minutë të pushojnë. Unë mendoj që nga minuta e parë deri në minutën e 95 ata duhet të jenë zjarr në stadium. Nuk duhet të merremi fare me Serbinë po duhet të mbështesim ekipin shqiptar në çdo minutë, në çdo sekondë të saj”, tha Alban Bushi, menaxheri i kombëtares shqiptare.

Përveç deklaratave që japin vetë në konferencat për shtyp, lojtarët e kombëtares tonë këto ditë janë të shkëputur nga mediat. Kjo për faktin se atyre nuk u interesojnë thashethemet mediatike, por përgatitja për të marrë një rezultat pozitiv i cili do të jetë historik për Shqipërinë.

“Unë personalisht nuk kam lexuar apo nuk jam marrë me mediat, si unë ashtu i gjithë ekipi jemi të fokusuar vetëm për lojën e futbollit. Do mundohemi të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta fituar këtë ndeshje”, tha Etrit Berisha .

“Kjo është një ndeshje si të githaqë kemi luajtur deri tani. Ne jemi duke marrë si çdo ndeshje, po analizojmë të gjitha mundësitë që mund të krijohen, që jemi në gjendje t’i ndalojmë, nuk është se ka ndonjë specifikë”, u shpreh Elsaid Hysaj.

Nën drejtimin e Gianni De Biasi, kombëtarja ka vazhduar edhe të martën përgatitjen për ndeshjen ndaj Serbisë, ku vetëm Aliji ka bërë stërvitje të diferencuar për shkak të një dëmtimi të lehtë. Por mësohet se kjo gjë nuk do ta pengojë mbrojtësin të jetë i gatshëm nëse trajneri De Biasi do ta mendojë si pjesë të formacionit bazë ndaj Serbisë.

Top Channel