ISIS-i, përpjekje për t’u dukur shtet i mirëfilltë

06/10/2015 14:55

Pas një fushate intensive terrori, pjesa dërrmuese e propagandës së Shtetit Islamik, më shumë sesa tek lartësimi i akteve të veta të dhunës, tani po përqendrohet tek përpjekjet për t’u shfaqur si një komb i mirëfilltë.

Studimi i fundit i realizuar nga “think tank”-u i sigurisë Quilliam tregon sesi grupi gjakësor është duke bërë sforco të mëdha për ta shitur veten si shtet i vërtetë dhe funksional. Ekipet mediatike të ISIS-it kanë prodhuar brenda një muaji 900 raporte, shkrime, video e programe radiofonike, 470 nga të cilat ishin tërësisht të fokusuara tek jeta e civilëve dhe shtetësia. Ato janë shpërndarë në mbarë botën përmes mediave sociale, e në mjaft raste edhe me “hashtag”-e për të shmangur bllokimin e kanaleve të zyrtarëve të ekstremistëve në këto platforma.

ISIS-i ka rreth 40 operatorë mediatikë aktivë në territoret që kontrollon. Pjesa më e madhe e informacionit përcillet në gjuhën arabe, megjithatë nuk janë të pakta edhe raportet e përkthyera në anglisht apo gjuhë të tjera të botës. Autori i studimit, Charlie Winter, vëren se ka një kthesë të narracionit në përgjithësi. Brutaliteti e rrëfenjat e mëshirës apo përkatësisë janë ende të pranishme, sqaron ai, megjithatë i shohim më të pakta në numër se ato që flasin për viktimizimin apo utopinë.

Sipas “think tank”-ut, ekipet mediatike të ISIS-it po përpiqen të vërtetojnë se grupi është mëse i aftë të administrojë tokën e pushtuar, e për këtë sjellin shembuj të shërbimeve publike sipas tyre mëse funksionalë apo dhe ato të një jete normale ekonomike.

Top Channel