Fakultetet diskutojnë masat për zbatimin e ligjit të arsimit të lartë

06/10/2015 15:00

Ligji i i ri dhe reforma në arsimin e lartë vë para sfidave dekanatet dhe profesorët të cilët tani më duhet të hedhin hapa konkretë në mënyrë që ky ligj të mos mbetet thjeshtë në letër. Në fakultetin e Mjekësise dekania Mira Rakacolli vë theksin së pari në përmirësimin e kurrikulave.

“Ajo që ne po mundohemi të bëjmë si hap të parë është reformimi fillimisht i kurrikulës universitare, pra, i asaj që duhet të ndjekin studentët për tu bërë mjekë të përgjithshëm. E më pas i asaj pasuniversitare apo të specializimeve që ne e kemi filluar që një vit më parë”, thotë Prof. Dr. Mira Rakacolli.

I pranishëm në konferencën e tretë pedagogjike ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj vë theksin në përgatitjen e mjekëve të specializuar pasi prej 25 vitesh janë krijuar mungesa të theksuara, madje edhe në nivel profesorësh.

“Unë konstatoj se në tre katër shërbime ka një boshllëk të madh në breza. Janë disa shërbime në     QSUT që mungon kjo gjë. Duhen nxitur që ndoshta pas dhjetë vitesh kjo situatë të jetë zbutur. Në grupin e kirurgjive besoj se ka lindur nevoja, apo ka ardhur momenti e dini ju, që të kemi specializime pak më të ndara”, thotë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Ministra e Arsimit Lindita Nikolla vlerësoi ligjin e ri të arsimit të lartë dhe reformën që po ndërmerret duke i dhënë një tjetër standart si cilësisë së diplomave, kërkimit shkencor, autonomisë dhe skemës së financimit të universiteteve .

“Kurrikula dhe lidhja e tyre me tregun e punës është tjetër pikë e fortë dhe një sfidë e jona e përbashkët. Do të jenë universitetet ato që vendosin për kuotat e pranimit, po do të jenë po ato që realizojnë promovimin e titujve akademikë”, tha ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Profesorë të njohur në fushën e mjekësisë kanë bërë propozimet e tyre mbi sfidat që duhet të përballen universitetet për të zbatuar dhe për të vjelur në fund benefitet e ligjit të ri të arsimit të lartë.

Top Channel