Prishtinë, protestë e Parlamentit Studentor

06/10/2015 00:00

Rreth 300 studentë, të udhëhequr nga kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtia”, kanë protestuar të martën në oborrin e Rektoratit të UP-së.

Për t’i larguar studentët nga hyrja e Rektoratit ka ndërhyrë edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës, ku njëra nga protestueset është lënduar lehtë.

Kërkesat e studentëve janë: të kthehen afatet e jashtëzakonshme të provimeve, afati i tetorit të bëhet me dy provime dhe të ulen kriteret për të kaluar vitin.

Kryetari i Parlamentit Studentor, Egzon Daku paralajmëroi se, nga e mërkura do të bllokojnë të gjitha njësitë akademike të UP-së.

“Ne po u japim kohë rektorit dhe stafit menaxherial të reflektojnë. Nuk kemi punë me rektorin, përkundrazi kërkojmë që edhe ai të sqarojë pozicionin e tij, sepse është Senati që i merr vendimet. Edhe vendimet që kërkojmë ne, nuk i vendos rektori, por Senati. Ne kërkojmë mbledhje të Senatit dhe të merret vendimi, që miraton kërkesat tona, në mënyrë që ne të tërhiqemi. Përndryshe, ne sot kemi paralajmëruar protestë paqësore, ndërsa nga dita e nesërme vazhdojmë me bllokim të njësive akademike. Nuk ka për t’u zhvilluar mësim askund”, tha Egzon Daku, kryetar i Parlamentit Studentor.

Daku tha se problemet e Rektoratit nuk janë probleme të studentëve. Ai dha një mesazh për rektorët, prorektorët, dekanët dhe profesorët e UP-së.

“Cili prej jush nuk është dakord këtu, që t’i nxjerrim jashtë maniakët seksualë të vendosur në Universitetin e Prishtinës? Merruni me shkencë dhe jo me politikë, ky është mesazhi që u drejtoj secilit profesor të Universitetit të Prishtinës, qoftë dekan, qoftë rektor, qoftë prorektor”, tha Egzon Daku, kryetar i Parlamentit Studentor.

Parlamentit Studentor iu bashkua edhe Grupi i Pavarur i Studentëve.

Top Channel