Londër, burg përjetë shqiptarit; vrau rumunin duke luajtur shah

06/10/2015 00:00

Një gjykatë londineze dënoi me burg përjetë një emigrant shqiptar, i cili pas një zënke – teksa po luante shah, – goditi me thikë një fqinjin e tij rumun.

“Snaresbrook Crown Court”, gjykatë në Londër, vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për Massimo Fishtin, me të drejtë daljeje përpara një komisioni vlerësues pas 21 vitesh nga nisja e dënimit.

Fishti, mbrëmjen e datës 25 prill 2015 goditi me thikë në zemër, për vdekje, shtetasin rumun Ioan Suditu, 40 vjeç.

Në përfundim të procesit gjyqësor, Iuliana Suditu, bashkëshortja e Ioan Suditu, u shpreh për mediat britanike:

“Jam prekur në mënyrë ekstreme nga vdekja e bashkëshortit. Ai ishte gjithçka për mua, trau i familjes. Fëmijët e mi, djali 12 vjeç dhe vajza 4 vjeç, janë lënduar gjithashtu nga humbja e babait. Djali im, i cili ishte shumë i lidhur me të atin, nuk dëshiron të studiojë apo të shkojë në shkollë. Ai është i tronditur dhe, kur zgjohet nga gjumi, nis e qan. Vajza më pyet çdo ditë se kur do të kthehet babi në shtëpi. Çfarë përgjigje mund t’u jap unë? Planet tona për t’u plakur së bashku, duke parë fëmijët të rriten dhe të martuar, u shuan me vdekjen e burrit tim”, u shpreh shtetësja rumune.

FOTO GALERI
1/2
Shtetasi rumun, viktima, Ioan Suditu

Top Channel