Maqedoni, propozohet ligj për ndalimin e publikimit të përgjimeve

06/10/2015 00:00

Opozita maqedonase nuk do të mund të publikojë në të ardhmen, biseda të reja telefonike nga skandali i përgjimeve, nëse deputetët e Kuvendit maqedonas miratojnë projektligjin për ndalimin e publikimit të materialeve të përgjuara, që u dorëzua të martën në Kuvend nga partitë që përbëjnë shumicën, VMRO-DPMNE dhe BDI.

“Me këtë ligj përcaktohet ndalesa për posedim, përpunim, publikim dhe shfrytëzim të materialeve, që burojnë nga përgjimet e paligjshme”, tha Talat Xhaferi, shef i grupit parlamentar të BDI-së.

Sipas shefit të grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi, për sjelljen e këtij ligji kanë rënë dakord udhëheqësit e 4 partive kryesore në Shkup. Drafti parashikon që, në të ardhmen, të ndiqen penalisht të gjithë ata, që publikojnë materiale të përgjuara.

“Me ligj parashikohet që, në një afat prej 5 ditësh nga hyrja në fuqi, të gjithë ata që posedojnë apo shfrytëzojnë materiale të përgjuara, duhet t’ia dorëzojnë ato prokurorit special, që ai të ketë në kompetencë të gjitha ato materiale”, tha Talat Xhaferi.

Ligji në fjalë, që parashikohet të miratohet me procedurë urgjente, do t’i detyrojë mediat t’i largojnë nga faqet e tyre në internet edhe materialet, tanimë të publikuara nga opozita maqedonase.

Top Channel