Presidenti Nishani viziton Bullgarinë

06/10/2015 18:20

Presidenti Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, nisi këtë të martë një vizitë zyrtare në Bullgari, i ftuar nga homologu bullgar, Rosen Plevneliev.

Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, Nishani nisi vizitën e tij me vendosjen e një kurore me lule në Monumentin e Partizanit të Panjohur dhe më pas u prit nga presidenti vendas në një takim kokë më kokë të pasuar nga bisedimet mes delegacioneve përkatëse.

Një nga temat kryesore të bisedimeve zyrtare ishte mbështetja e Bullgarisë ndaj Kosovës për përfshirjen e saj në nisma dhe projekte rajonale, ashtu edhe në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sidomos për anëtarësimin e saj në UNESCO.

“Në takimin e sotëm patëm mundësinë që të vlerësojmë marrëdhëniet dypalëshe, si dhe të diskutojmë edhe për ato rajonale dhe shumëpalëshe, ku një vëmendje të veçantë ua kushtuam edhe sfidave dhe kërcënimeve në nivel global. Pata mundësinë që të rishpreh mirënjohjen për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në kuadrin e procesit të integrimit europian dhe veçanërisht për mbështetjen në marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Jam i bindur se kjo mbështetje nuk do të mungojë edhe në vijim për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, deklaroi ndër të tjera presidenti Nishani.

Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e Presidencës, thuhet se u ra dakort që të nxitet më tej të gjitha strukturat shtetërore të dy vendeve tona për të krijuar atmosferën e nevojshme për një bashkëpunim të mirë ekonomik dhe tregtar.

Bujar Nishani u takua edhe me kryeministrin bullgar, Boyko Borissov, me të cilin bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh mes dy vendeve në frymën e miqësisë tradicionale që ekziston.

Ditën e dytë të vizitës, Nishani do të marrë pjesë së bashku me homologun bullgar në punimet e Forumit të Përbashkët Ekonomik Bullgari-Shqipëri.

Top Channel