Refugjatët, Tsipras pret kancelarin austriak. Vizitojnë edhe Lesbosin

06/10/2015 00:00

Nëse Bashkimi Europian nuk tregon solidaritet në çështjen e refugjatëve, atëherë nuk ka asnjë kuptim ekzistenca e tij. Ky ka qenë mesazhi, që kryeministri grek Alexis Tsipras ka dhënë nga ishulli i Lesbosit, në të cilin ka vizituar qendrat e pritjes së emigrantëve bashkë me Kancelarin austriak, Werner Faymann.

Sipas Tsiprasit, vizita e udhëheqësit austriak, i pari i një shteti europian në një nga pikat e preferuara të hyrjes së refugjatëve drejt BE-së, është një mesazh simbolik për të gjithë shtetet europiane në menaxhimin dhe bashkëpunimin për përballimin e valës së emigracionit. “Kjo është tashmë çështje europiane”, ka pohuar Kancelari i Austrisë.

“Kjo ishte një vizitë emergjence dhe gjithashtu do të doja doja që të punonim së bashku, këtu në Lesbos. Unë mendoj se mesazhi simbolik, që do të tregojmë së bashku sot, është se kjo është një çështje europiane, një problem europian”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Ndërkohë, mediat greke kanë kritikuar kyreministrin Tsipras, pasi disa orë para vizitës së kreut austriak, mbi 7300 refugjatë janë larguar nga ishulli drejt portit të Pireut me 4 anije të mëdha dhe tashmë ishulli, që ndodhet vetëm 4.5 km larg brigjeve turke, ka marrë një pamje më normale nga javët e kaluara, kur organet vendore kishin shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Faymann dhe Tsipras janë takuar me autoritetet lokale dhe punonjësit e agjencive të ndihmës, që regjistrojnë emigrantët, i pajisin ata me dokumentet e nevojshme dhe më pas i sistemojnë.

Vetëm 3 ditë më parë, Tsipras, Faymann dhe Merkel kanë zhvilluar një bisedë telefonike tripalëshe për çështjen e refugjatëve, ndërsa edhe më parë Austria e Gjermania kanë mbështetur Athinën për sigurimin e më shumë fondeve për përballimin e fluksit dhe për rritjen e personelit në terren.

Sipas statistikave, më shumë se 400 mijë refugjatë që kanë hyrë në Greqi këtë vit janë drejtuar më pas për në Austri dhe Gjermani.

Dy ditët e fundit, i gjithë opinioni publik grek u trondit, pasi disa dhjetëra milje më në jug të Egjeut, në ishullin Kos u gjetën trupat pa jetë të 4 fëmijëve të vegjël, që deti i kishte nxjerrë në breg.06

Top Channel