Dëmtohet pllaka me mbishkrimin osman në Kalanë e Lezhës

06/10/2015 19:15

Pllaka me mbishkrimin osman e vendosur në hyrjen e Kalasë së Lezhës, është dëmtuar nga persona ende të paidentifikuar dhe specialistët e DRKK së Shkodrës e kanë hequr atë për ta restauruar.

Ajo tashmë gjendet në laboratorin e Institutit te Monumenteve të Kulturës. Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, pllaka ka dëmtime në konturin e saj, por edhe në brendi e në një pjesë të madhe të relievit të shkronjave.

Specialistët kanë bërë kallëzimin pranë organeve të rendit, ndërsa Ministria e kulturës dënon këtë akt dhune, si dhe u bën thirrje organeve të drejtësisë që të ndjekin procedurat ligjore.

Një thirrje i bëhet edhe çdo subjekti e individi që të mos prekë objektet e trashëgimisë kulturore, pasi ato janë identiteti ynë kulturor.

Pllaka me mbishkrimin osman të Sulltan Sulejmanit u vendos në Kalanë e Lezhës në muajin tetor. Ajo është zbuluar mes viteve ‘70-‘80 dhe deri vonë ruhej në Muzeun e Lezhës.

Ajo i përket vitit 1522, vit kur u rindërtua kalaja dhe në përmbajtjen e saj shkruhet se është rindërtuar nga Sulltan Sulejmani. Është ky shkrim që ka ngjallur debate mes banorëve të zonës që duan ta heqin atë dhe ekspertëve.

Shkrimi në osmanisht,  duket se shqetëson banorët, të cilin e lidhin me ndikimin e pushtuesve, si dhe data e rindërtimit e vendosur në pllakë, e cila sipas tyre zhvlerëson data të mëhershme.

Ekspertët janë ndarë në ata që sugjerojnë të rivendoset në muze për t’u shpëtuar vandalizmave dhe ata që thonë se duhet të qëndrojë aty ku ka qenë e vendosur dhe se vlerat e trashëgimisë kulturore duhen ruajtur të pacënuara.

Top Channel