Provokimet ruse ndaj Turqisë, Stoltenberg reagon sërish

07/10/2015 00:00

Incidenti ndërmjet Ankarasë dhe Moskës po zvarritet edhe më tepër pas pretendimeve të Kremlinit se ndërhyrja e avionëve të tyre ushtarakë në hapësirën ajrore turke, ka ndodhur për arsye të motit të keq.

Nuk mungoi as reagimi i radhës nga NATO, ku Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg deklaroi se inkursioni në qiell të hapur flet për diçka më tepër.

“Avionë luftarakë rusë, kanë shkelur hapësirën ajrore turke. Ne kemi vërejtur dy të njëpasnjëshëm. Inteligjenca jonë ka arritur në konkluzionin se kjo nuk ka qenë diçka aksidentale. Mund të them se është e papranueshme. Jam gjithashtu i shqetësuar se Rusia nuk synon vetëm ISIS-in, por opozitën siriane dhe civilët”, tha Stoltenberg. Por, krahas qëndrimit të Aleancës së Atlantikut Verior, edhe Pentagoni gjithashtu është i shqetësuar për veprimtarinë ushtarake ruse në Siri.

Raportet e fundit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregojnë se trupat e Moskës po pajisin me armë zonën e Sirisë Perëndimore, aty ku janë të vendosur të gjithë ata të cilët luftojnë regjimin e Assad-it. Shtetet e Bashkuara e shohin  këtë lëvizje të Rusisë “si rritje te aktivitetit të saj në terren për të sulmuar pikërisht këto forca, në vend që të luftojë terroristët e ISIS.

Megjithatë, Moska vijon të mohojë çdo akuzë të ngritur kundër saj, duke përdorur mediat shtetërore, të cilat mohojnë vazhdimisht  çdo operacion tokësor në Siri.

Top Channel