Arrestohet “Ballist” Morina, mbante me vete pistoletë pa leje

07/10/2015 09:15

Policia e Tiranës ka arrestuar mëngjesin e së mërkurës Ismail Morinën, të njohur ndryshe edhe si “Ballist” Morina, njeriun që ngriti dronin në stadiumin e Beogradit, në ndeshjen Serbi-Shqipëri të vitit të kaluar.

Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se në rrugën “Petro Nini Luarasi”, “gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit Ismail Morina, i është gjetur e fshehur në trup një armë zjarri e tipit pistoletë “Zastava”, me gjashtë fishekë. Gjatë kontrollit të mjetit fuoristradë Range Rover AA 874 KY, drejtues i të cilit ishte Ismail Morina, në pjesët e brendshme të tij është bërë e mundur gjetja edhe e një arme tjetër pistoletë, tip TT, si dhe 30 fishekëve për këtë pistoletë”.

Ismail Morina është arrestuar bashkë me 3 shtetas të tjerë që ndodheshin me të në makinë: 22-vjeçari Erion Bahushi, 21-vjeçari Denis Balla dhe 20-vjeçari Marin Rexha.

Arrestimi vjen vetëm një ditë para ndeshjes Shqipëri-Serbi dhe Morina kishte me vete edhe 36 bileta të kësaj ndeshjeje që do të luhet në “Elbasan Arena”.

FOTO GALERI
1/5
Ismail Morina në ambientet e Komisariatit nr.1 në Tiranë

Top Channel