Eliminatoret e “Rusi 2018”, Brazili e Kili përgatisin sfidën

07/10/2015 10:30

Brazili dhe Kili kanë nisur përgatitjet për sfidën mes tyre për eliminatoret e Botërorit 2018, zona e Amerikës Latine. Skuadra 5 herë kampione e botës nuk do të ketë në dispozicion sulmuesin Neymar, i dënuar me 4 ndeshje pezullim në Kupën e Amerikës për shkak të fyerjeve ndaj arbitrit në përfundim të sfidës me Kolumbinë.

Mesfushori Fernandinho deklaroi se kjo ndeshje ka rëndësi për Brazilin dhe se skuadra e tij do ta ndjejë mungesën e 23-vjeçarit: “Për ne, starti sa më i mirë i këtyre eliminatoreve ka një vlerë shumë të madhe dhe ne do të kërkojmë të fitojmë me Kilin. E dimë që ndaj kësaj skuadre do ta kemi shumë të vështirë. Megjithatë, unë jam i bindur se ne do të jemi në gjendje që ta kalojmë këtë pengesë. Përsa i përket Neymar, është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe do ta ndjejmë mungesën e tij. Do të na duhet të gjejmë zëvendësuesin më të mirë”.

Ndërsa kapiteni i Kilit, Claudio Bravo theksoi se skuadra e tij është në formën më të mirë dhe se do të zbresë në fushën e lojës për të fituar ndaj 5 herë kampionëve të botës. Ndërkaq, të enjten do të luajë edhe Argjentina me Ekuadorin, ku ajo që spikat është mungesa e kapitenit të bardhekaltërve, Lionel Messi, për arsye dëmtimi.

Top Channel