F1, Ecclestone pranon: Ka ardhur koha të largohem

07/10/2015 00:00

Qëndrimit të Bernie Ecclestone në krye të Formula 1 duket se i ka ardhur fundi, pas 20 vitesh mbizotërimi.

Është vetë bosi britaniki këtij kampionati, që e ka deklaruar një gjë të tillë, duke pranuar se për të po vjen koha që të shesë aksionet e tij.

“Aksionerët tanë po studiojnë tashmë shitjen e aksioneve – tha Ekleston, drejtues i “CVC Capital partners”. – Ka disa subjekte shumë interesante, madje mund të them se 3 kompani të tjera kanë shprehur gatishmërinë për të hyrë në botën e Formula 1. Nuk do të habitesha sikur të gjitha transaksionet të mbyllen brenda këtij viti”.

Sipas medias britanike, një kompani e përbashkët amerikano-katariote është ajo, që synon të blejë “CVC Capital partners”, që në këtë moment zotëron 55% të aksioneve të Formula 1.

Mësohet se, pas kësaj lëvizjeje fshihet Stephen Ross, pronari i skuadrës së NFL-së, Miami Dolphins.

Një tjetër blerës i mundshëm i aksioneve të Formula 1 është edhe biznesmeni amerikan, John Malone, i cili do të kryente këtë transaksion nëpërmjet kompanive “Liberty Global” dhe “Discovery Communications”.

Top Channel