Rama-Meta, dy takime brenda pak orëve

07/10/2015 11:10

Edi Rama dhe Ilir Meta janë takuar sërish dhe jo njëherë, por dy herë brenda paradites së të mërkurës.

Fillimisht ishte kreu i Kuvendit në zyrën e Kryeministrit Rama që në orët e para të mëngjesit. Nuk dihet kur Ilir Meta ka hyrë në takim me Edi Ramën, por ai ka lënë zyrën e këtij të fundit rreth orës 10:00.

Vetëm pak minuta më pas ishte makina e shefit të Qeverisë shqiptare që u pa të hyjë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Edi Rama përreth një orë ka zhvilluar takimin e dytë me aleatin e tij në qeverisje.

Kamerat kanë fiksuar shefin e Qeverise shqiptare të dalë nga zyra e Ilir Metës, duke shkëmbyer mesazhe në celularin e tij dhe i pashoqëruar nga asnjë zyrtar tjetër të Qeverisë.

Takimet e kësaj të mërkure mes Ramës dhe Metës, pasojnë takimin e së shtunës, të parin pas kthimit të kryeministrit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një qëndrimi 10-ditor atje dhe pas zhvillimeve intensive në vend, me shpërthimin e skandalit të CEZ.

Në takimin e parë mes dy aleatëve, mediat raportuan se mes tyre është folur për ndryshime në Qeveri, çka më pas Edi Rama e mohoi, ndërsa Ilir Meta i konsideroi të nevojshme.

Në fakt, burime të tjera thonë se takimi i të shtunës mes të dyve ka qenë i tensionuar, por ndryshimet në Qeveri nuk kanë qenë temë kryesore e tij.

Top Channel