Turqia, koordinim me Rusinë; Davutoglu: Të shmangim krizën NATO-Rusi

07/10/2015 00:00

Kur diskutohet për sigurinë e kufijve të saj, Turqia nuk bën kompromise. Megjithatë, komentet e kryeministrit Ahmet Davutoglu lënë të kuptohet se vendi i tij nuk do të dëshironte për çdo rast, që inkursionet ruse në hapësirën ajrore të Turqisë të përshkallëzohen, duke çuar drejt një krize me NATO-n.

Plot tri herë është thirrur ambasadori i Moskës në Ankara, pas njoftimeve për fluturime të avionëve luftarakë rusë në qiellin turk. Fushata e bombardimeve të Rusisë në Siri nisi një javë më parë, por Davutoglu thotë se vetëm dy nga 57 sulmet e saj kanë shënjestruar ata, që duhet të ishin objektivat e vërtetë të kësaj ofensive: xhihadistët e Shtetit Islamik.

Nisur nga fakti që Turqia është anëtare e aleancës së atlantikut verior, Presidenti Recep Tayyip Erdogan i kujtoi Moskës se, çdo sulm ndaj saj nënkupton sulm ndaj NATO-s. Me këto pohime, kreu i shtetit turk iu referua doktrinës së mbrojtjes kolektive, që i angazhon të gjithë anëtarët të mbrojnë njëri-tjetrin.

“Nëse Moska humb një mik si Turqia, me të cilin ka mjaft bashkëpunim, ka për të humbur shumë më tepër nga sa mendon. Duhet ta dijë këtë e ta mbajë mirë në mend”, tha Tayyip Erdogan, President i Turqisë.

Kreu i ekzekutivit turk e tha qartë sot se, nuk do të ketë lëshime për shkeljet e hapësirës ajrore të vendit, ndërsa zyrtarë të tjerë të qeverisë lanë të kuptohet se, Ankaraja kërkon nga rusët që të shpjegojnë veprimet e tyre e të japin hollësi sesi t’i shmangin përplasjet e mundshme në të ardhmen.

Rusia ka bërë të ditur se ka marrë një ofertë ndihme nga Turqia për të koordinuar më mirë aktivitetet e sulmeve ajrore, që kanë të bëjnë me çështjen e Sirisë dhe ISIS-it.

Zhvillimi i fundit vjen pas një rritjeje të theksuar të tensioneve, pasi Turqia akuzoi Rusinë për shkelje të hapësirës së saj ajrore.

Të martën, Moska njoftoi se avionët e saj ishin ngritur në rreth 20 fluturime gjatë operacionit të saj në ndihmë të ushtrisë siriane. Kremlini pranoi gjithashtu se ishte futur për pak kohë dhe gabimisht në hapësirën ajrore turke.

Megjithatë, zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Anatoly Antonov mirëpriti idenë e bashkëpunimit me Turqinë.

“Do të ishte kënaqësi të flisnim me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, me të cilët do të mund të diskutonim të gjitha aspektet teknike, në mënyrë që të paktën të mund të shmangim keqkuptimet që mund të lindin, teksa forcat tona ajrore përmbushin detyrat e dhëna nga kryekomandanti në Siri”.

Ushtria ruse publikoi të tjera pamje gjatë së martës, të cilat – sipas saj, – tregojnë atë që ata e përshkruajnë si “transferim i armatimeve nga terroristët pranë qendrave të banuara nga civilë në Siri”.

Gjithsesi, NATO ende ka dyshime mbi qëllimet e fushatës ajrore të Moskës dhe refuzon të pranojë thjesht si një gabim inkursionin rus në hapësirën turke. Aleanca atlantiko-veriore bëri të ditur se Rusia mund të jetë duke shënjestruar xhihadistët e ISIS, por po godet gjithashtu edhe zonat e rebelëve sirianë dhe po neglizhon vdekjet e civilëve nga sulmet e tyre.

NATO pretendon se ka raporte të një grumbullimi të qenësishëm të ushtrisë ruse, si me trupa tokësore edhe me forca detare, pranë bazës së saj Latakia, në Siri.

Top Channel