PD, Ristani: Droga ka pushtuar vendin, Tahirit dhe Ramës nuk i bën përshtypje

07/10/2015 12:30

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani përsëriti edhe një herë denoncimin ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, duke thënë se edhe shtypi i huaj “është i tronditur nga akuzat ndaj Tahirit, por ai vazhdon të mbajë detyrën”.

“Saimir Tahiri vazhdon të ndajë makinën e tij private me Habilajt që sipas oficerit të lartë të anti-drogës Zagani, kryejnë trafikun më të madh të drogës në zonën e Vlorës. Që trafiku të jetë edhe më i sigurtë, Tahiri ka vënë në dispozicion të bandës edhe shefin e kufirit të Dhërmiut. Fakte dhe prova tronditëse kemi publikuar në mënyrë të përsëritur. Makina private e ministrit përdoret nga banda kur ata kanë mall për të kaluar, e më pas përdoret nga Tahiri kur shkon me pushime. Kjo, e vërtetuar disa herë nga sistemi TIMS”, tha Ristani.

“Anti-mafia italiane e shqetësuar për volumin e madh të narkotikëve që shkon andej nga Shqipëria. Shtypi italian i tronditur nga akuzat që rëndojnë ndaj ministrit të brendshëm shqiptar. E megjithatë, për Saimir Tahirin asgjë nuk ka ndodhur. Ai vazhdon prej 36 ditësh të qëndrojë në detyrë, edhe pse është provuar publikisht se ka lidhje me bandat e drogës, edhe pse është ministri i brendshëm më i diskredituar në rajon e më gjërë. Edhe për Edi Ramën asgjë nuk ka ndodhur, ai vazhdon të jetë krenar për bëmat e Saimirit të tij”, shtoi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Top Channel