Kosovë, aktakuzë për pjesëmarrje në luftën e Sirisë ndaj pejanit

07/10/2015 00:00

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar këtë të mërkurë ngritjen e një aktakuze në Gjykatën Themelore të Pejës, kundër të pandehurit S. M. për veprën penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grupe terroriste”, parashikuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri S. M. gjatë periudhës kohore Korrik 2013 – Janar 2014 ka udhëtuar në Turqi përmes Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në linjën Prishtinë-Stamboll, me qëllim që t’i bashkëngjitet grupit terrorist “Al Nusra”, që operon në konfliktin e armatosur në Siri.

Nga Stambolli, ai ka vazhduar rrugëtimin me autobus për në qytetin Hataj e më pas me taksi drejt kufirit sirian, duke kaluar në mënyrë ilegale kufirin. Aty është vendosur në një qendër stërvitore, në rrethinat e qytetit të Aleppos, ku ka ushtruar stërvitje fizike dhe të armatosura për rreth një muaj.

Më pas, ai është mobilizuar në grupin terrorist të Al Nusras, e gjatë luftimeve është plagosur me armë zjarri në këmbën e majtë, për t’u kthyer më pas në Kosovë.

Për veprën penale, me të cilën akuzohet i pandehuri, prokurori i rastit, nga radhët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga gjykata ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit të pandehurin, pas shqyrtimit gjyqësor.

Top Channel