Liberalizimi i vizave, Mustafa: 8 kriteret e fundit përmbushen brenda 30 nëntorit

07/10/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa premtoi përmbushjen e të gjitha kritereve të mbetura, sa i përket liberalizimit të vizave, deri më 30 nëntor.

Pas kësaj, sipas tij, Bashkimi Europian nuk ka arsye të mos marrë një vendim pozitiv për qytetarët e Kosovës, sa i përket lëvizjes së lirë në vendet e zonës “Schengen”.

“Unë ju garantoj, që do të punohet shumë për këtë. Janë më tepër çështje teknike, që do t’i adresojmë dhe jam i bindur se, s’ka arsye që BE-ja të mos reflektojë në datën e liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Këto komente, Mustafa i bëri në mbledhjen e Qeverisë në kuadër të raportimit për vizitën në Nju Jork, së bashku me anëtarët e tjerë të kabinetit.

Duke komentuar shkrimet në media se, Qeveria edhe këtë herë është përbërë nga një delegacion i madh, duke shpenzuar kështu pa kujdes fondet publike, kryeministri tha se delegacioni ka qenë më i vogël se herët e tjera dhe kjo është bërë pikërisht për të qenë sa më racional, sipas tij, në shpenzimin e buxhetit.

Top Channel