Operacioni “Ujësjellësi” në Tiranë, 4 të arrestuar dhe 6 të proceduar

07/10/2015 00:00

Një operacion i Policisë së Tiranës, i koduar “Ujësjellësi” dhe i zhvilluar gjatë së mërkurës, ka çuar në arrestimin e 4 personave, procedimin në gjendje të lirë të 6 të tjerëve dhe shpalljen në kërkim të një tjetri.

Arrestimet e tyre janë kryer për shkak se ata akuzohen për veprat penale të “shkatërrimit të rrjetit të ujësjellësit”, por edhe për “shpërdorim detyre”.

Në pranga kanë përfunduar Arben Myftaraj, 48 vjeç (lindur në Gramsh dhe banues në Tiranë), Pandeli Gegeni, 61 vjeç, Dritan Goci, 35 vjeç, Besim Xhabafti, 57 vjeç, të gjithë këta të lindur dhe banues në Tiranë. Ndërkohë, procedimi penal në gjendje të lirë ka nisur ndaj S.H. 44 vjeç, I.B. 59 vjeç, F.F. 36 vjeç, S.M. 54 vjeç, L.V. 60 vjeç dhe SH.GJ. 53 vjeç, të gjithë banues në kryeqytet.

Në kërkim është shpallur shtetasi F.F. 42 vjeç, teksa hetimet ndaj tyre kanë konstatuar “shpërdorimin e detyrës” dhe “ndërhyrje në rrjetin e ujësjellësit”, duke e dëmtuar atë dhe duke sjellë për pasojë mosfaturimin e ujit të konsumuar nga një firmë private me administrator shtetasin F.F.

Rasti do të vijojë të hetohet nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për procedurat e mëtejshme.

Top Channel