“Mosbindje ndaj policisë”, procedohet penalisht vëllai i ministrit të Mjedisit

07/10/2015 00:00

Policia e Durrësit ka proceduar penalisht, në gjendje të lirë, biznesmenin Leonard Koka, nën akuzën e “mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ngjarja ka ndodhur në “Lagjen 1” të qytetit bregdetar, kur gjatë kryerjes së veprimeve të punonjësve të policisë për kontrollin e mjetit, 49-vjeçari Koka është larguar duke marrë mjetin e tij, tip Mercedes Benz, me targa AA 911 LB, pa iu bindur thirrjes së punonjësve të policisë për të ndaluar.

Shërbimet kanë ndërhyrë më pas, duke e shoqëruar në Komisariatin e Policisë bashkë me mjetin, ku u kryen veprimet e duhura proceduriale dhe më tej u la i lirë.

Në legjislacionin penal shqiptar, “mosbindja ndaj urdhrave të ligjshme të punonjësit të policisë së rendit publik” përbën kundërvajtje penale dhe, në rast fajësie, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 muaj.

Top Channel