Shqipëri-Serbi, Tahiri: Garantojmë sigurinë. Tifozët të mbrojnë vlerat tona

07/10/2015 00:00

Përmes një deklarate për mediat nga Kryeministria, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka bërë të ditur këtë të mërkurë, vetëm një ditë përpara ndeshjes së nesërme në “Elbasan Arena” mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2016, se janë marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë për të garantuar mbarëvajtjen mëse optimale të këtij eventi.

Policia, siç tha Tahiri, është angazhuar që ndeshja e nesërme të jetë një festë qytetarie, europianizmi dhe se për të do të vihen në dispozicion 2300 forca policie. Do të monitorohen të gjitha akset që të çojnë drejt qytetit të Elbasanit, ndërkohë që do të ndiqet edhe çdo informacion që ka të bëjë me cënimin e mbarëvajtjes së këtij takimi.
 
“Janë marrë masat për garantimin e sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të takimit, por edhe ekipit mik nga Serbia”, është shprehur ministri Tahiri. “Megjithatë, e rëndësishme është ajo që zhvillohet jashtë stadiumit, më shumë sesa brenda tij, sepse duhet të japim një shembull gjatë kësaj ndeshjeje futbolli: të përpiqemi të gjithë bashkë për të mbrojtur vlerat tona qytetare”.

Ndeshja e nesërme mes Shqipërisë dhe Serbisë do të përcaktojë mbi të gjitha fatet e kombëtares kuqezi, nëse do të mund të kualifikohet drejtpërdrejt për në finalet e Euro 2016, që do të organizohet në Francë vitin e ardhshëm.

Top Channel