Kosovë, qeveria në dilemë për shlyerjen e borxheve

07/10/2015 00:00

Borxhet e vjetra të Qeverisë së Kosovës ndaj institucioneve dhe palëve të tjera, për të cilat ka edhe vendime gjykate, kanë hapur dilema në mbledhjen e qeverisë nëse duhet paguar apo jo, nëse nuk janë konsomuar të gjitha mjetet e nevojshme juridike.

Zëvendësministri i Financave kërkoi nga Qeveria, që të ndajë një shumë të hollash për komunën me shumicë serbe të Shtërpçës, e cila kohë më parë ka zhvilluar aktivitete në vlerën mbi një milion euro, shumë kjo e paparashikuar në buxhetin e atij viti, ndonëse kjo – sipas zëvendësministrit, – mund të jetë bërë në kundërshtim me ligjin.

Kryeministri i Kosovës e ka vlerësuar këtë si të pakuptimtë, për faktin se do të ishte një barrë e madhe financiare për qeverinë, nëse të gjitha institucionet do të kryenin aktiviteteve jashtë linjave buxhetore.

“A mos do të thotë kjo se, edhe sot një komunë apo një ministri të mund të përfshihet në detyrime jobuxhetore dhe pastaj qeveria, me vendime gjykate të detyrohet t’i paguajë ato, pa u përgjigjur askush? Kjo, sepse ligji nuk mund të zbatohet në mënyrë të njëanshme. Ne kemi një ligj, që na detyron të paguajmë, por s’kemi një të tillë, që denoncon atë që i krijon detyrime qeverisë pa i pasur në buxhet”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

“Në këtë rast, komuna e Shtërpçës ka hyrë në detyrime jobuxhetore. Ekzekutuesit janë ankuar dhe ne duhet të kryejmë detyrimet tona”, tha Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave.

“Nëse ka shkelje, Ministria e Financave duhet ta pezullojë ekzekutimin deri në vendimin e gjykatës. S’ka të drejtë ta kërkojë një gjë të tillë askush nga ne”, tha Hajredin Kuçi.

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi kujtoi se, Qeveria e Kosovës tashmë ka paguar disa këste të këtij borxhi, duke hapur kështu një problematikë tjetër, nëse qeveria e kaluar ka paguar borxh pa e analizuar mirë prejardhjen e tij.

“Ky rast ka ndodhur, është konsumuar dhe ne e dimë mirë. Vitin e kaluar komuna e Shtërpçës ka pasur detyrime, ky është kësti i fundit për të mbyllur një detyrim që daton prej vitesh dhe këtu ka edhe vendim gjykate”.

Rast i ngjashëm ishte edhe pagesa ndaj institucioneve private për dëme të shkaktuara para një dekade, në trazirat e marsit. Fillimisht Qeveria vendosi t’i paguajë ato borxhe, por më pas, debati në mbledhje bëri, që të dyja propozimvendimet t’i kalojnë zyrës ligjore, për të parë nëse janë shpenzuar të gjitha format juridike për vërtetësinë apo jo të këtyre borxheve.

Top Channel