Gjiknuri: Gjyqi DIA- OSHEE në arbitrazh është mbyllur

07/10/2015 14:35

Në kulmin e debatit për cështjen CEZ, ministri i Energjisë Damian Gjinkuri deklaroi se gjyqi mes OSHEE-së dhe kompanisë DIA në arbitrazh është mbyllur. I ftuar në emisonin “Top Shovv” të gazetarit Alban Dudushi, zoti Gjinkuri tha se kompania ka tërhequr pretendimin për 130 milionë euro ndaj Shqipërisë.

“Drejtuesja ligjore e DIA-s pasi u konfrontua dhe me provat për falsifikime në veprën penale të kryer nga Ismailaj, ka ardhur dhe ka nënshkruar marrëveshjen me OSHEE dhe tërheq çdo lloj prentedimi financiar dhe kjo marrëveshje depozitohet automatikisht në Vjenë, dhe është depozituar. Dhe hiqet e drejta nga çdo pretendim. Nuk ka më gjyq DIA- OSHEE, ka një proces që është në mbyllje nga Vjena”, tha Gjiknuri.

Zoti Gjinkuri, deklaroi se nëse nuk do të kishte zgjidhur me mirëkuptim konfliktin me CEZ, Shqipëria do të humbiste automatikisht në arbitrazh edhe me kompaninë DIA, por jo vetëm.

“Ne mund të vazhdonim nja 10 vjet gjyqin me çekët, ndërkohë që kjo kompani po dhe kompani të tjera nisur nga ky precedent do të mund të fundosnin përfundimisht jo sektorin energjitik, por gjithë shtetin shqiptar”, tha më tej ministri Gjiknuri.

Zoti Gjinkuri mbrojti marrëveshjen e mirëkuptimit me CEZ, e cila sipas tij ishte e sugjeruar nga ndërkombëtarët.

Top Channel