Tensione në gjyqin ndaj dy mjekëve të “Koço Gliozhenit”

07/10/2015 15:40

Është tensionuar situata në gjykatën penale të Tiranës në seancën e parë gjyqësore kundër dy mjekëve të maternitetit “Koço Gliozheni”, nën akuzë për mjekim të pakujdesshëm të Dorjana Hakës, e cila ka ndërruar jetë gati një vit më parë.

Të afërmit e të ndjerës, që u nda nga jeta në moshën 25 vjeç kanë reaguar me fyerje ndaj mjekëve në sallën kryesore të gjykatës, për shkak se gjatë seancës avokatët e tyre kërkuan riekspertim.

Prindërit e Dorjana Hakes e konsiderojnë këtë lëvizje të avokatëve, si taktikë që dy të pandehurit t’i shpëtojnë drejtësisë.

Mjekët që janë marrë të pandehur nga Prokuroria, janë gjinekologu Petrit Rexhepi dhe anestezistja Elona Burba.

Sipas Prokurorisë, dy mjekët kanë futur pacienten për lindur në operacion, pa ndjekur protokollin mjekësor dhe pa kryer analizat e nevojshme.

Pas operacionit gruaja, e cila solli në jetë një djalë, ka gjetur vdekjen. Për Prokurorinë mjekët që e operuan atë nuk e ndoqën gjendjen e saj shëndetësore edhe pas lindjes.

Top Channel