Forcohen masat kundër evazionit. PD: Masa represive

07/10/2015 00:00

Qeveria dhe opozita nuk ndahen për domosdoshmërinë e luftës kundër evazionit fiskal, në çfarëdo lloj forme të shfaqet ai, por socialistët dhe demokratët nuk pajtohen tek ashpërsia e ndëshkimit.

Ndryshimet e qeverisë në Kodin Penal propozojnë heqjen e ndëshkimit me gjobë dhe zëvendësimin e tij me burg. Qeveria e argumentoi këtë vendim me nivelin e lartë të informalitetit në vend, por për opozitën kjo është rruga e gabuar.

“Të dhënat nga ky konstatim i dy muajve të parë tregojnë se, afërsisht më shumë se gjysma e bizneseve janë në informalitet. Kjo solli për pasojë edhe veprimet nga qeveria”, tha Shkëlqim Cani, ministër i Financave.

“Në fakt, në shumë vende shkeljet doganore dhe tatimore janë kundërvajtje administrative. Pasi rrallë këto shkelje janë burim rreziku i shtuar për qytetarët, me përjashtim të ilaçeve dhe produkteve të naftës, për të cilat unë jam dakord. Për të gjithë të tjerat, ministri i Financave i tha sot biznesit se i pret vetëm burgu, dhe jo pak por 10 vite burg. Jemi kundër këtij agresiviteti dhe pro alternativës së butë ndaj qytetarëve dhe biznesit”, tha deputeti demokrat, Eduard Halimi.

Ndryshimet në Kodin Penal janë në pjesën dërrmuese të tyre dënime me burg, nga 3 deri në 10 vite për ata që bëjnë kontrabandë, dhe Pandeli Majko u përpoq ta evidentojë këtë fakt.

“Jo, kontrabandisti nuk është qytetar, por një maskara që meriton vetëm burgun. Neni 174 ka të bëjë me kontrabandën me mallra të tjera, ku nuk përfshihet fare qytetari; neni 177, kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm, edhe këtu nuk shoh ndonjë qytetar. Edhe neni për kuponin tatimor do ta lexoj, por ai është një nen që, po e dëgjove relatoren, tha se vlen të ndëshkohet”, tha deputeti socialist, Pandeli Majko.

Socialistët shmangën komentet për nenin, që heq gjobën dhe çon në burg deri në 3 vite, këdo që nuk regjistron biznesin, punonjësit apo nuk lëshon kupon tatimor; një nen, që Partia Demokratike e përdori për të sulmuar jo vetëm ashpërsimin e masave me burg, por edhe pabarazinë, me të cilën mazhoranca trajton qytetarët.

“Kush është armiku në këtë vend? Kontrabandisti, që nuk është qytetar, apo është trafikanti i prostitutave, trafikanti i drogës apo vrasësi, të cilët nuk mundemi t’i ndalojmë të futen në Parlament, sepse janë qytetarë. Këta kanë të drejtën e tyre kushtetuese të zgjidhen, edhe pasi kanë bërë 99 të këqija kudo. Kontrabandisti, jo nuk është qytetar. Ky është një problem jashtëzakonisht i madh i këtij Kodi Penal, sepse e denatyralizon sistemin e drejtësisë shqiptare dhe dhënien e drejtësisë në këtë vend”, tha deputeti demokrat, Gent Strazimiri.

Aleati më i ri i qeverisë, Nard Ndoka deklaroi votën kundër projektligjit, por në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve nuk ishin përfaqësuesit e LSI-së, të cilët vendosin për shumicën e cilësuar me 84 vota, që duhen për miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal.

Top Channel