Klima e biznesit të huaj, probleme drejtësia, ligjet dhe informaliteti

07/10/2015 00:00

Më shumë se gjysma e kompanive të huaja në vend, 51% mendojnë se kushtet e të bërit biznes në Shqipëri nuk janë të favorshme, ndërsa vetëm 18% mendojnë se klima në vend është e favorshme.

Shoqata e Investitorëve të Huaj, që ka një peshë prej 2 mld euro asetesh në Shqipëri, publikoi vrojtimin mbi klimën e biznesit, ku rendit gjykatat, ndryshimet e shpeshta në legjislacion dhe informalitetin, si problematikat kryesore me të cilat përballet sipërmarrja në Shqipëri.

Në takimin me ministrin e Ekonomisë, sipërmarrësit kërkuan garanci për transparencë dhe shmangien e sjelljeve arbitrare.

“Ka 7 vjet që një investitor norvegjez, me 22 mln euro, pret të investojë në bujqësi në Shqipëri dhe skualifikohet brenda një muaji nga një kompani investitore nga Bangladeshi”, tha përfaqësuesi i kompanisë norvegjeze.

“Çështja është nën hetim, sepse ‘Nordic Investment Group’ është një kompani serioze”, tha ministri Arben Ahmetaj.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Ahmetaj thotë se qeveria po adreson problemin e informalitetit, përmes operacionit të nisur në muajin shtator.

“Është rritur deklarimi i qarkullimit në biznesin e vogël me 58%. Janë gati 84 dosje të kompanive të mëdha të realizuara me shumë kujdes dhe që u kërkojnë sipërmarrësve të vetërregullohen”, tha Arben Ahmetaj.

Probleme të tjera të evidentuara në anketim janë korrupsioni, thjeshtimi i kuadrit ligjor fiskal, mungesa e politikave stimuluese, paqëndrueshmëria politike dhe niveli i lartë taksave.

Top Channel