Ndeshja me Serbinë, shqiptarët e Shkupit do ta ndjekin nga “Skëndërbeu”

07/10/2015 17:00

Mijëra shqiptarë pritet të tubohen mbrëmjen e së enjtes në sheshin “Skënderbeu” në Shkup për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Serbi, e cila do të transmetohet në një ekran gjigant me nismë të tifozëve shqiptarë “Shvercerat”.

Këta të fundit, në pamundësi për të qenë prezent në “Elbasan Arena” për shkak të mungesës së biletave, kombëtaren do ta mbështesin nga Shkupi.

“Në ndeshjen me Serbinë ne nuk do të jemi prezent në “Elbasan Arena”, pasi nuk kemi arritur të marrin bileta. Por do të jemi këtu dhe do mundohemi prej këtu të kontribuojmë dhe ta ndihmojmë kombëtaren dhe të festojmë së bashkë sepse fitorja do të jetë e jona”, deklaroi Omer Bunjaku, lider i “Shvercerave”.

Kombëtarja shqiptare do të ketë mbështetje edhe nga shqiptarët që jetojnë në qytete tjera të Maqedonisë. Ndërkohë, në qytetin e Kumanovës, ku përveç shqiptarëve dhe maqedonasve jeton edhe popullatë serbe, policia do të ndalojë organizimet për ndjekjen e ndeshjes në mënyrë kolektive për të shmangur incidente eventuale ndëretnike.

“Në Kumanovë, në qendrën tregtare “Garnizon”, të rinjtë vendas gjithmonë në të kaluarën janë organizuar për të parë ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit dhe ajo qendër disa herë është shndërruar në qendër futbolli. Por lajmi i fundit është se autoritetet policore në Kumanovë nuk do të lejojnë që të organizohet ndjekja e ndeshjes”, thotë gazetari Reshat Ibrahimi.

Një ditë para ndeshjes midis Shqipërisë dhe Serbisë, gazetarët sportivë shqiptarë nga Maqedonia kanë kritikuar ashpër FSHF-në për shkak se nuk i ka akredituar ata për të ndjekur këtë sfidë të rëndësishme.

Kritika dhe akuza të rënda në drejtim të Federatës Shqiptare të Futbollit kanë adresuar edhe vetë “Shvercerat” dhe “Ballistët”, të cilëve nuk u janë ndarë bileta për qenë prezent në “Elbasan Arena” ditën e enjte.

Top Channel