BE nis operacionet kundër trafikut të emigrantëve

07/10/2015 18:00

Bashkimi Evropian po nis një operacion të ri në Mesdheun jugor, për të lokalizuar varkat që trafikojnë emigrantë.

Në kuadër të operacionit “Sofia”, anije e varka të marinave të vendeve anëtare do të mund të kontrollojnë, sekuestrojnë dhe të kthejnë mbrapsht mjetet lundruese të dyshuara se përdoren për trafik qëniesh njerëzore.

Deri tani, Bashkimi Evropian ka qenë i fokusuar vetëm në operacionet e kërkim-shpëtimit. Deri këtë muaj të vitit, më shumë se 130 mijë emigrantë dhe refugjatë kanë arritur Evropën perëndimore nga brigjet e Afrikës Veriore, ndërsa më shumë se 2.700 të tjerë janë mbytur në tentativë e sipër.

Gjithësesi, shumë emigrantë të tjerë, kryesisht sirianë që largohen nga lufta civile, kanë filluar të zgjedhin rrugë të tjera. Ata po kalojnë përmes Turqisë, më pas bëjnë një rrugë të shkurtër detare deri në Greqi e më pas përpiqen të arrijnë vendet e tjera të BE, me Gjermaninë që është destinacioni i tyre i preferuar.

Kriza e emigrantëve ishte një nga çështjet e ngritura nga presidenti francez Francois Hollande dhe kancelarja gjermane Angela Merkel në një fjalim të përbashkët të mbajtur të mërkurën në Parlamentin Evropian në Strasburg.

Të dy liderët u shprehën njëzëri se, përgjigjia më e mirë ndaj krizës së refugjatëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme është reagimi i Europës së bashkuar.

Top Channel