De Biasi: Fitorja, objektiv i vetëm

07/10/2015 18:15

Një ditë para ndeshjes me Serbinë në “Elbasan Arena”, trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi i kërkoi tifozëve që të tregojnë maturi dhe qetësi, duke i rikujtuar se luajnë të ardhmen dhe kualifikimin në sfidën ndaj ballkanasve.

Në konferencën për shtyp bashkë me Lorik Canën, De Biasi tha se objektivi i vetëm është fitorja dhe se për formacionin titullar ka ide të qarta.

“Futemi në fushë gjithmonë për të fituar ndeshjen dhe jo për barazimin sepse duam të arrijmë objektivat që kemi. Ndaj Serbisë luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme duke qenë se është kundërshtar i fortë dhe ky takim është vendimtar për ta ardhmen tonë. Për një trajner kjo është ndeshje e thjesht për t’u përgatitur pasi lojtarët e kanë motivimin brenda. Serbia është një kundërshtar i fortë, por ne e njohim mirë. Ne i respektojmë rivalët, por besojmë në forvën tonë dhe do të luajmë për të fituar ndeshjen. Unë besoj se do t’ia dalim dhe nëpërmjet kësaj ndeshje do të tregojmë se përveç futbollit ne dimë të respektojmë kundërshtarin. Kjo është një sfidë vendimtare dhe unë i bëj thirrje tifozëve se pa ta nuk do të arrijmë dot objektivin historik”, u shpreh trajneri i kombëtares sonë.

Ndërsa kapiteni Cana tha se për çdo futbollist është një sukses i jashtëzakonshëm arritja në këto pozita. Ai shtoi se kombëtarja shqiptare është e aftë të përballet denjësisht me çdo kundërshtar dhe këtë gjë do ta bëjë edhe në ndeshjen e së enjtes ndaj Serbisë.

“Kënaqësia më e madhe për një sportist është të arrijë në situata të tilla. Nëse ti arrin në situata të tilla dhe e vendos veten në situata të tilla është sukses dhe një arritje e madhe. Ka shumë njerëz që bëjnë gjithçka në jetë, por asnjëherë nuk ndodhen në situata të tilla. Ne jemi me që ndodhemi në këto pozita dhe mund të realizojmë diçka që mund të jetë e paharrueshme për çdo njërin prej nesh. Çdo episod brenda dhe jashtë aspektit sportiv ka qenë një gur që ka ngritur kalanë tonë për të qenë të pathyeshëm. Nuk do të thotë që jemi bërë ekipi më i mirë, por jemi një kundërshtar i fortë për çdo ekip”, tha kapiteni Lorik Cana. 

Top Channel