Informaliteti, nis hetimi i bizneseve “VIP”

07/10/2015 19:05

Në kuadër të operacionit kundër informalitetit, një grup specialistësh të Drejtorisë së Tatimeve, ku bëjnë pjesë ekspertë vendas e të huaj të agjencive të ndryshme kundër krimit ekonomik, ka nisur një hetim gjithëpërfshirës të listës së bizneseve “VIP”.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda Tatimeve se, në lupën e këtij hetimi janë përfshirë kompani të mëdha në fushën e hidrokarbureve, ndërtimit, konfeksioneve, energjisë, mineraleve, duhanit, lojrave të fatit dhe tregtimit me shumicë të artikujve të konsumit.

Pjesë e procesit është edhe kryqëzimi i të dhënave dhe informacioneve doganore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të caktuara origjine, si edhe i të dhënave për aktivitete të dyshuara kriminale.

Të njëjtat burime pohuan se është drejt përfundimit dokumentimi për vënien para ligjit të mbi 40 subjekteve të mëdha tregtare me veprimtari të kundraligjshme.

Top Channel