Serbët: Kemi ardhur për futboll

07/10/2015 20:25

Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Shqipërinë, trajneri i përfaqësueses serbe Çurçiç dhe kapiteni Ivanoviç, janë munduar dukshëm për të evituar çdo koment rreth situatës dhe atmosferës që e rrethon këtë përballje, duke u përqendruar vetëm tek aspekti sportiv.

“Do mundohemi që të mos mendojmë për asgjë tjetër, por vetëm për futboll. Ka qenë shumë e thjeshtë për mua të motivojë lojtarët për këtë ndeshje, madje më e thjeshtë se në ndeshjen me Armeninë që luajtëm pa tifozë. Megjithatë kemi shumë respekt për Shqipërinë, pasi nuk është rastësisht aty ku është. Sa i përket formacionit, gjithçka e kam vendosur dhe nuk kam asnjë dilemë”, u shpreh trajneri i përfaqësueses serbe.

Edhe kapiteni i përfaqësueses serbe, Ivanoviç ka theksuar faktin se janë këtu vetëm për të luajtur futboll dhe për të treguar se janë më superior se përfaqësuesja shqiptare, në fushën e lojës.

“Nuk mund te themi se në këtë ndeshje do të ketë diçka, ne jemi këtu për futboll. Nuk mund të them se jemi dyfish më të fortë se Shqipëria, forcën duhet ta tregojmë në fushë dhe për këtë jemi të përgatitur të gjithë.

Më herët, përpara nisjes për në Tiranë edhe presidenti i federatës Serbe të futbollit, Tomisllav Karaxhiç thekson faktin e sigurisë dhe se gjithçka do të shkojë normalisht në këtë ndeshje.

“Kemi marrë garanci për sigurinë. Nuk shoh arsye që shqiptarët të rrezikojnë rastin për Europianin”, tha presidenti i federatës serbe të futbollit.

Përfaqësuesja Serbe nuk ka zhvilluar asnjë seancë stërvitore në Tiranë, madje do të qëndrojë e izoluar edhe ditën e nesërme në hotel për t’u nisur rreth orës 17:30 drejt Elbasanit, për të ndaluar menjëherë në “Elbasan Arena” rreth dy orë përpara ndeshjes.

Top Channel