Kosovë, Kuvendi në pritje të “përsëritjes”

07/10/2015 21:35

Seanca e Kuvendit të Kosovës që do të zhvillohet të enjten pritet të jetë një ripërsëritje e seancës së kaluar, e cila u bllokua nga deputetët e opozitës ende pa filluar mirë. Kjo do të shënojë edhe rikonfirmimin e krizës politike në vend, në të cilën deri tani nuk po pranon të ndërhyjë asnjë institucion.

Në kabinetin e kryeparlamentarit Kadri Veseli kanë thënë se forma e organizimit të seancës së radhës do të jetë e njëjtë me seancat e kaluara, ndërsa kryetari i Kuvendit është i vendosur që mos e urdhërojë sigurimin për të larguar deputetët e opozitës nga salla.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda Kuvendit se, nëse deputetët opozitarë bllokojnë përsëri foltoren e Kuvendit, atëherë kryetari Veseli do të thërrasë një tryezë me ambasadorët e vendeve të Kuintit për të kërkuar ndihmën e tyre për dalje nga kriza.

Një ditë para seancës, përfaqësuesit e partive opozitare konfirmojnë se sërish nuk do të lejojnë zhvillimin e punimeve në Kuvend, derisa qeveria të tërhiqet nga marrëveshjet me Serbinë.

“Nesër do të marrim pjesë në seancën e Kuvendit dhe qëllimi ynë është që të pamundësojmë vazhdimin e seancave të Kuvendit, sepse jemi të revoltuar me degradimin që i ka bërë qeveria Kuvendit. Kuvendi është shndërruar totalisht në një kukull në duart e qeverisë dhe ne nuk do ta lejojmë më këtë gjë”, ka deklaruar Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të VV.

Konjufca tha se koalicioni qeveritar ka marrë mandat nga qytetarët për hapjen e 200 mijë vendeve të punës e jo për arritjen e marrëveshjeve me Serbinë. Ai tha se për të arritur marrëveshjen me Serbinë duhet të shkohet në zgjedhje të reja dhe të pyeten qytetarët.

“Po nëse Isa Mustafa nuk e tërheq nënshkrimin prej marrëveshjes, atëherë me siguri që zgjidhja e vetme është dorëheqja e qeverisë apo rrëzimi i saj. Kjo çon në zgjedhje të reja”, ths Konjufca.

Ndërsa Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë që monitoron punën e Kuvendit, vlerëson se thirrja e seancës plenare pa konsultime për gjetjen e një zgjidhjeje nuk do të sjellë asnjë lëvizje të re.

“Dhe tani, meqenëse nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë, pse duhet të thirret seanca? Mendoj që nesër, çfarë mund të ndodhë, do të jetë një përsëritje e asaj skenës teatrale në episodin e radhës, por nuk duket se do të ketë ndonjë zhvillim të ri, ndonjë zhvillim tjetër. Ne vazhdojmë të mendojmë dhe të themi që kryetari i Kuvendit akoma ka mundësi, ka rregulloren e punës në dispozicion dhe pikërisht ai duhet të kujdeset për mbarëvajtjen e punës në Kuvend”, vlerëson Selmanaj.

Kuvendi i Kosovës po hyn në javën e tretë të bllokadës, ndërsa nëpër komisione parlamentare ndodhen disa projektligje që presin miratimin e deputetëve.

Top Channel