Rama pret studentët serbë: Të tregojmë imazhin e Ballkanit europian

08/10/2015 09:45

Kryeministri Edi Rama ka pritur këtë të enjte në një takim studentët serbë të cilët do të ndjekin ndeshjen Shqipëri-Serbi, që siç dihet, luhet këtë mbrëmje në “Elbasan Arena”.

Në fjalën e tij në këtë takim, kryeministri Rama e vuri theksin tek rëndësia e mesazhit që duhet të përcjellë kjo ndeshje e që sipas tij duhet të jetë “Ballkani i transformuar”.

“Shqipëria dhe Serbia mund të bëjnë për Ballkanin atë që Franca dhe Gjermania bënë për Evropën. Ballkanin e duam evropian dhe rrënjësisht të transformuar”, ka thënë Rama.

Në kuadër të bashkëpunimit të ri që ka nisur mes Shqipërisë dhe Serbisë, ka vijuar ai, “në 10 vitet e ardhshme popujt tanë do të shohin të mirat e mëdha të këtij transformimi mes nesh”.

Top Channel