Kriza e refugjatëve, BE diskuton përshpejtimin e deportimeve

08/10/2015 00:00

Planet për të përshpejtuar deportimin e azilkërkuesve të rremë priten të diskutohen në një takim të ministrave të BE-së në Luksemburg. Ministrat e Brendshëm pritet të miratojnë masa të tilla, përfshi edhe burgosjen e atyre që e kanë mundësinë të largohen përpara se të përjashtohen.

Gjithashtu pritet të ushtrohet më shumë presion ndaj shumë vendeve të origjinës për t’i marrë mbrapsht njerëzit e tyre. Zhvillimi i fundit vjen në një kohë kur shtetet e BE-së po përballen me një fluks të jashtëzakonshëm të azilkërkuesve.

Më shumë se 600 mijë persona kanë mbërritur në vendet e bllokut gjatë këtij viti, shumica e të cilëve që u janë larguar luftrave, varfërisë dhe persekucionit në vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore.

Pas muajsh të tërë diskutimesh sesi do t’i shpërndanin dhjetëra e mijëra refugjatët e ardhur, BE-ja tashmë po e kthen vëmendjen në mbajtjen e emigrantëve të padëshiruar jashtë kufijve të tyre dhe dërgimin në shtëpi të azilkërkuesve, aplikimet e të cilëve refuzohen.

Gjithsesi, ka shumë pak gjëra që mund të bëjë BE-ja si një e tërë, pasi deportimet janë përgjegjësi e secilit vend anëtar të bllokut.

Një draft i publikuar mbi takimin e së enjtes, sipas “Reuters” bën të ditur se Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare të tij duhet të bëjnë më shumë në lidhje me kthimet e emigrantëve. Rritja e normave të kthimit duhet të veprojë si një pengesë për emigracionin e parregullt”.

Ministrat e Jashtëm të BE-së, së bashku me delegacionet nga Turqia, Jordania, Libani dhe shtetet e Ballkanit do t’u bashkohen bisedimeve më vonë gjatë kësaj të enjteje, për të diskutuar mënyrat e ndaljes së fluksit të emigrantëve.

Turqia, Jordania dhe Libani janë strehë e dhjetëra e mijëra refugjatëve sirianë, shumica e të cilëve kanë mundur të kalojnë drejt Europës. Të mërkurën, Presidenti francez, Francois Hollande, dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nxitën anëtarët e BE-së të vepronin të gjithë së bashku për të përballuar krizën e emigrantëve.

Në një fjalim të rrallë përpara Parlamentit Europian në Strasburg, ata bënë thirrje për ringritjen e një sistemi për përballimin e kërkesave për azil.

Top Channel