Gjiknuri: Qeveria Berisha, neglizhencë në marrëdhëniet me CEZ; reagon PD

08/10/2015 11:20

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ka akuzuar qeverinë e mëparshme të demokratëve për neglizhencë në marrëdhëniet me CEZ Shpërndarje.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Gjiknuri tha se privatizimi i OSSH-së në 2009 është bërë për arsye korruptive me qëllim dorëzimin e aplikimit për statusin kandidat.

“Nisi me privatizim të vitit 2009 që hapi siparin e dështimeve, privatizim për arsye korruptive me qëllim dorëzimin e aplikimit për statusin kandidat, përkundër deklarimit të figurave qëndrore të BE-së. Në seancën e fundit Berisha i mohoi këto akuza. Por cfarë thotë deklarata zyrtare? Më 29 mars 2009, Olli Rehn: Aplikoni kur të jeni me vërte gati dhe mos e bëni vetëm për veprim politik. Prandaj këshilla ime është mos e konsideroni para zgjedhjeve parlamentare, pasi do të jetë test kritik për stabilitetin politik”, deklaroi ministri i Energjisë dhe Industrisë.

Gjiknuri ka mohuar edhe deklaratat e opozitës, sipas të cilave largimi i CEZ është bërë me bekimin e Bankës Botërore. “Përzënia e tyre është bërë me bekimin e Bankës Botërore, është gënjeshtër e madhe. Nuk ka asnjë dokument, ku Banka Botërore të thotë të hiqet licenca dhe të përzihet kompania. Aq e nxituar ishte kjo masë, sa administratori kishte kompetenca të kufizuara, por filloi të sillej si pronar”, vijon Gjiknuri.

Ministri tha më tej se qeveria Berisha nuk ka depozituar asnjë padi në arbitrazh kundrejt kompanisë çeke, por është kjo e fundit që paditi Shqipërinë, duke e konsideruar të padrejtë vendimin e ERE-s për heqjen e licencës.

“Fitimi i çëshjtes në arbitrazh. E vërteta është ndryshe. Qeveria Berisha nuk depozitoi asnjë padi në arbitrazh, nuk bëri asgjë për të mbrojtur interesat e Shqipërisë siç deklaron. CEZ duke e konsideruar të padrejtë vendimin e ERE, paditi e para Shqipërinë më 15 maj 2013, në gjykatën e arbitrazhit. Ndërkohë nga ana e autoriteteve shqiptare nuk u ndërmorr asnjë veprim të sugjeruar edhe nga konsulenti ligjor. Mosveprimi në kohë nga ana e palës shqiptare dëmtoi pozitën e shtetit shqiptar dhe interesat ekonomike. Vlerësimi teknik dhe financiar do të ishte baza themelore e cila do të mund të paraqitej në një arbitrazh. Padia nuk u bë dhe këto masa nuk u morrën gjatë gjithë vitit 2013. Megjithëse doli vendimi i qeverisë në hskurt 2013, vetëm në fund të atij viti nga kjo qeveri u bë e mundur marrja e ekspertëve”, tha Gjiknuri.

Deputeti Edmond Spaho ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Energjitikës, Damian Gjiknuri lidhur me aferën e CEZ. Duke folur në seancë plenare, Spaho ka akuzuar Gjiknurin se vetëm sa ka përsëritur deklaratat e mëparshme të tij dhe nuk ka dhënë asnjë sqarim.

Në përditësim…

Top Channel