UNESCO, Mustafa: Serbia të mendojë si t’i bëjë mirë vetes

08/10/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se, është momenti i fundit që Serbia të mendojë sesi t’i bëjë mirë vetës, e jo keq Kosovës. Kryeministri ka shkruar një gjë të tillë, lidhur me tentativat e Serbisë për të ndalur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Kosova po hyn në fazën përfundimtare të anëtarësimit në UNESCO. Ky është rezultat i një pune të fuqishme të institucioneve të Kosovës, i besimit që Kosova ka arritur të krijojë në bashkësinë ndërkombëtare dhe i përkrahjes së fuqishme nga miqtë tanë.

Kosova do të respektojë të gjitha standardet botërore të ruajtjes dhe kultivimit të trashëgimisë kulturore, mbi bazën e Kushtetutës, Planit gjithëpërfshirës të Marti Ahtisaarit dhe ekspertizës së UNESCO-s. Do të ndërtojmë edhe vlera shkencore e arsimore mbi këto baza.

Ndërkaq, për udhëheqjen e Serbinë është momenti i fundit, që ata të mendojnë sesi t’i bëjë mirë vendit të tyre, e jo si t’i bëjnë keq Kosovës. Kjo, sepse duhet ende shumë kohë të shërohemi nga pasojat e të këqijave të tyre”, ka shkruar kryeministri Isa Mustafa.

Top Channel